Deri më 30 mars të 2020 është pezulluar zbatimi i Ligjit të ri për Pagat ende pa hyrë mirë në fuqi.
Vendimi për masë të përkohshme është marrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke miratuar kështu kërkesën e Avokatit të Popullit.
Megjithatë, masa e përkohshme mund të pezullohet në çdo moment pas një vendimi të Kushtetueses.
Pikërisht për shkak të moszbatimit të këtij ligji, të gjitha shkollat, çerdhet, e universitetet e Kosovës, të premten ditën do ta nisin me grevë dy-orëshe.
Ata po kërkojnë që pagat e dhjetorit t’i marrin me rritje, sipas Ligjit të ri.
Për të njëjtën arsye grevë për të premten kanë paralajmëruar edhe punëtorët shëndetësorë, por për këta të fundit greva do të jetë për disa orë më e gjatë.
Sipas vendimit të Federatës Sindikale të Shëndetësisë i marrë ditë më parë, greva do të mbahet duke filluar nga ora 07:00 deri në ora 15:00, ndërsa do të trajtohen vetëm rastet emergjente.
Por, nëse këto greva vazhdojnë, shoqëria civile do të thërrasë protestë gjithë popullore.
Rron Gjinovci nga ORCA thotë se këto sindikata të cilat i quan politike, nuk e kanë qëllimin te pagat, por ta destabilizojnë vendin.
Ligji për paga, i pari i tillë në Kosovë, që rregullon koeficientet e pagesës së punëtorëve në sektorin publik, është miratuar këtë vit, por në fuqi është dashur të hyjë këtë muaj.
Ai u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit për shkak të dyshimeve se mund të ketë shkelje kushtetuese në të dhe pabarazi në sektorin publik.