Të panevojshëm e kanë cilësuar diaspora, vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
KQZ-ja gjatë së hënës ka marrë vendim që të telefonojë të gjithë ata që aplikojnë jashtë vendit për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit për verifikim. Sipas këtij vendimi, ata që nuk lajmërohen në telefon, humbin të drejtën e votës.
“Kam të drejtën kushtetuese për të votuar, e drejta ime nuk mund të cenohet me pengesa procedurale sikur kjo që e ka vënë KQZ-ja tash. Ne nuk kemi gjithmonë qasje në telefona, në shumë vende të punës është e ndaluar të përgjigjesh në thirrje private vetëm nëse janë urgjente në shumë vende është i ndaluar celulari”, ka deklaruar Hilmi Gashi, qytetar në Zvicër.
Gashi ka bërë thirrje që kjo pikë e vendimit të rishikohet ose të largohet plotësisht.
Kritika rreth këtij vendimi pati edhe nga shoqëria civile.
“Një vendim i tillë është i papranueshëm dhe i njëjti duhet në rishqyrtim nga ana e KQZ-së duhet të tërhiqet, për shkak se jo vetëm që është tendencë për të kufizuar të drejtat e njeriut përkatësisht për t’ia mohuar dikujt të drejtën për të zgjedhur, por e njëjta mund të krijojë edhe probleme të shumta praktike dhe mundësi që personat që bëjnë zbatimin e këtij vendimi të kenë mundësi për keqpërdorime”, ka thënë Ylli Zekaj nga IKD-ja.
Edhe nga organizata Germin kanë kërkuar anulimin e këtij vendimi.
“Kërkojmë që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ta rishqyrtojë ose ta anulojë komplet vendimin e KQZ-së për votuesit nga jashtë”, është shprehur Lirim Krasniqi nga Germini.
Ani pse dy anëtare të Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar pro kësaj pike, edhe kjo parti ka dërguar ankesë në PZAP për vendimin e KQZ-së në lidhje me verifikimin e aplikacioneve për votim të mërgatës.
Por, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se kjo pikë nuk përbën shkelje, pasi që kanë votuar 11 anëtare të këtij komisioni.
“KQZ-ja duke marrë parasysh që vota nga diaspora është lehtë e cenueshme dhe shumë lehtë e manipulueshme ka marrë një vendim me të cilin do të bëjë verifikimin e të gjitha votave të cilat vinë nga diaspora, respektivisht do të bëhet verifikimi i identiteti të aplikuesve dhe do të vlerësojmë se a janë ata aplikues për regjistrim si votues jashtë Kosovës me të vërtet votuesit të cilët kanë të drejtë ligjore që të votojnë apo është duke votuar dikush në emër të tyre”, ka thënë Valdete Daka, krryetare e KQZ-së.
Sipas Dakës, një verifikim të tillë e kishin bërë edhe në zgjedhjet e kaluara dhe kjo është bërë për ta eliminuar çdo manipulim të mundshëm.