Familjarë të Liridona Ademajt nuk kanë dyshuar në asnjë moment që dhëndëri i tyre mund të ishte i lidhur me vrasjen e 30-vjeçares. Në një deklaratë për KOHËN, vëllai i saj, Leonardi, tregoi për dyshimet që lidhen me vrasjen. Tha se mund të jetë bërë shkaku i përfitimit nga sigurimi jetësor që Liridona ka në Suedi, e përfitues i të cilit pas vdekjes do të ishte bashkëshorti
Familjarë të Liridona Ademajt, 30-vjeçares së vrarë katër ditë më parë, nuk kanë qenë në dijeni asnjëherë që ajo dhe bashkëshorti, Naim Murseli, kishin çfarëdo problemi mes tyre.
Liridona pati 13 vjet martesë me Murselin, i dyshuar se pagoi vrasjen e gruas së tij e me pas e inskenoi si grabitje.
E, Leonardi, vëlla i Liridonës, tha që familjarët nuk kanë dëgjuar për ndonjë problem.
“O jo, nuk ka shancë. Që 13 vite asnjë fjalë e vetme e konflikt mes tyre nuk ka qenë”, i tha ai KOHËS.
Sipas tij, që kur familjarët dëgjuan për vrasjen e saj as që kanë dyshuar që dhëndëri mund të jetë i përfshirë në ndonjë formë.
“Jo që nuk dyshuam, por as nuk donim me dyshu, sepse nuk mendonim që një njeri me aq gjakftohtësi mund ta vrasë gruan e tij pas 13 viteve martesë”, ka thënë vëllai i Liridonës së ndjerë.
Familjarët e Liridonës kanë folur me të herën e fundit, ditën kur është vrarë.
“Nuk ka pasur asnjë shqetësim. Ajo ishte tek ne dhe ne pasi u nisë rrugës e thirrëm për shkak që prej Gjakovës në Prishtinë është bukur larg, 1 orë e diçka. E thirrëm, e pyetem qysh kalove rrugës, a shkove mirë. Tha: jam duke shkuar me ngrenë darkë”, ka treguar Leonardi.
Dy djemtë e Liridonës po qëndrojnë tek familja e Naim Murselit, e familjarët e të ndjerës nuk kanë pasur kontakt më me ta. Të dy kanë nënshtetësi vetëm suedeze.
Vëllai i Liridonës së ndjerë konfirmoi se e motra kishte sigurim jetësor në Suedi, e që në rast të vdekjes së saj paratë do t’i shkonin familjes, përkatësisht bashkëshortit të saj. Përfitimi i shumës së sigurimit jetësor, sipas tij, mund të jetë motivi për vrasjen.
“Motivi mund të jetë vetëm paraja ose diçka kështu”, ka thënë leonardi. “Arsyeja mund të jetë e kësaj vlere monetare që e posedon me sigurim shëndetësor. Këtë e kemi arsye njëherë, por për me shumë Policia e kanë këtë punë dhe e dinë ata”.
Tridhjetëvjeçarja u vra katër ditë më parë. Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka arrestuar bashkëshortin e saj, si personin që ka porositur dhe paguar për vrasjen e saj e më pas e ka inskenuar rastin si grabitje. Murseli, sipas Prokurorisë, ka paguar të dyshuarin Granit Plava, i cili e ka ekzekutuar viktimën. E për pjesëmarrje në vrasje është arrestuar edhe pjesëtari i FSK-së, Kushtrim Kokalla, që është familjar i Murselit.
KOHA ka kontaktuar avokatët e të tre të arrestuarve.
Avokati i Naim Murselit, Ahmet Ahmeti, nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.
“Unë jam avokat, nuk jap informata. E përfaqësoj Naimin. Nuk dua të deklarohem. Hajt mirupafshim”, ka qenë përgjigjja e shkurtër e Ahmetit.
E, avokati Skendër Gojani që e përfaqëson të dyshuarin Granit Plava, tha se do të flas të dielën pasi të mbahet seanca për caktimin e paraburgimit të të dyshuarve.
“Rasti është shumë i ndjeshëm. E kisha rezervu të drejtën pasi që nesër është seanca e parë e procesit, kështu që për çdo gjë që kemi, kemi me u dëgju nesër për informata të mëtutjeshme”, ka thënë Gojani.
Ndërkaq, avokati Ahmet Gjinovci që e përfaqëso të dyshuarin Kushtrim Kokalla, tha se klienti i tij nuk është i përfshirë në këtë rast.
“Jo, jo, nuk ka të bëje fare me kurrgjë. Ka me u vërtetu që nuk ka kurrgjë. Si i dyshimtë, por e kanë ndalë me siguri. Të shohim nesër çka po thonë e çka po shkruajnë në kërkesën për masën e paraburgimit. Tash për momentin ai është si i dyshimtë për vrasje, por tash e shikojmë nesër se çfarë vlerësimi prokurori jep në prova”, ka thënë Gjinovci.
Rasti fillimisht u raportua nga Policia si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave.
Për të dielën në orën 09:30 është caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca dëgjimore për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë.
Rasti ka nxitur shumë reagime.
Për të marten, duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, është paralajmëruar protestë në mbrojtje të grave. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist është organizator i protestës. Kjo organizatë ka njoftuar se do të organizojë një aksion simbolik të dielën pranë Pallatit të Drejtësisë, ku pritet të mbahen seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Murselit.
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar të shtunën se vrasësit e Liridona Ademajt, duhet të dënohen, ndërsa vrasjen e ka quajtur krim monstruoz.
“Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka deklaruar se duhet veprim i shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin.
“Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme”, ka theksuar presidentja.