Bashkia e Shkodrës në mënyrë simbolike ka çelur të dielën sezonin turistik në plazhin e Velipojës me një sërë aktivitetesh sportive. Çelja e sezonit turistik gjeti në plazhin e Velipojës kryesisht pushues besnikë nga Kosova, që e zgjedhin, sipas tyre, për çmimet konkurruese, por që janë kritikë për mungesën e infrastrukturës.
"Më qetë, më lirë, më pastër”, thotë një turiste nga Kosova.
”Plazh i bukur dhe i pastër”, thotë një tjetër.
Ndërsa për një burrë të moshuar nga Kosova, ardhja e tij në Velipojë është se e kupton më mirë gjuhën e vendësve.
"Njerëzit i kuptoj më shumë këtu se atje në Ksamil”, thotë ai.
Ka edhe prej atyre që kritikat i kanë në lidhje me infrastrukturën, duke kërkuar që në këtë drejtim të bëhet më shumë.
"Ka nevojë për më shumë punë për pastërti dhe rregull”, thotë një tjetër turist nga Kosova.
Për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, sfida në këtë sezon do të jetë rritja e cilësisë së shërbimeve, për ta kthyer Shkodrën destinacionin kryesor të turizmit.
"Jemi munduar që këtë vit të ndërhyjmë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë dhe mbajtjes së pastërtisë në kushtet optimale, si dhe garantimit të hapësirave publike", tha Spahia në ceremoninë e çeljes së sezonit turistik.
Spahia ka thënë tri ditë më parë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së se sivjet plazhi i Velipojës do të jetë më i pastër dhe do të ketë siguri më të madhe për turistët që zgjedhin t’i kalojnë pushimet aty.
Sa i përket rritjes së çmimeve, Spahia ka thënë se është e rëndësishme që të garantojnë që nuk do të abuzohet me to gjatë sezonit turistik.
“Ne patëm një diskutim pak ditë më parë dhe për situatën e rritjes së çmimeve. Është e vërtetë se çmimet janë rritur. Madje një nder ankesat kryesore të qytetarëve lidhet me faktin e rritjes së çmimeve dhe kryesisht në transport. Është fakt i njohur tashmë se në transport çmimet janë rritur, dhe në këtë kontekst kanë prekur edhe ofrimin e shërbimit në turizëm dhe konkretisht në zonën e Velipojes”, deklaroi Bardh Spahia në “60 Minuta” të KTV-së.
Pavarësisht deklarimeve të kryebashkiakut të Shkodrës, strukturat akomoduese në Shqipëri parashikojnë një rritje me 10%, për të përballuar kostot e shtuara të energjisë, ushqimeve, naftës dhe pagave të rishikuara të stafeve.
Tur-operatorët në zonën e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës raportojnë se rezervimet e reja do të jenë me një rritje që mund të luhatet mesatarisht 10-20%.
Ariol Haxhillari, nga “FAFA Group”, raporton se në tërësi për Durrësin nuk pritet të ketë rritje më të madhe se 10% për strukturat akomoduese.
“Rritja nuk mund të jetë e lartë, pasi strukturat në zonën e Durrësit rrezikojnë të dalin nga tregu. Në një vit të vështirë si ky me çmime të rritura duhet të mundohesh të jesh konkurrues”, – shprehet Haxhillari.
Të njëjtin pohim bëjnë edhe operatorët në zonën e Vlorës e të Sarandës, ku, sipas tyre, rritja mund të variojë nga struktura në strukturë.
Mesatarja e përgjithshme do të jetë 10%, ndërkohë që për struktura të reja me kosto të larta të shtuara, rritja mund të shkojë deri në 20%.
Strukturat akomoduese, përveç kontratave që kanë shitur me garanci, nga të cilat nuk mund të luajnë nga çmimi i dhënë më herët, po shesin me çmime të rritura. Rezervimet, sipas tyre, mbeten të kufizuara, të paktën nga vendësit, të cilët zgjedhin rezervimet e momentit të fundit, ndërsa rezervimet nga vendet e Evropës mbeten në nivele të kënaqshme.
Tur-operatorët gjykojnë se, pavarësisht çmimeve, planet e pushimeve të verës ka pak gjasa të shmangen nga kalendari i familjeve, të cilat do të përshtatin gjithçka sipas buxhetit, nga net-qëndrimet tek udhëtimet e fundjavave. Ende pa nisur mirë sezoni veror, në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë faturat e çmimeve të shtrenjta në restorante e hotele, kryesisht në zonën e Jugut të Shqipërisë , shoqëruar me pakënaqësi.
Pavarësisht pakënaqësive, argumenti i përvitshëm për atë që ndodh në Jug të Shqipërisë është ai i vendosjes së çmimit nga kërkesë-oferta. Megjithëse nuk mungojnë edhe opsionet e lira, viti 2022 në Shqipëri parashikohet të jetë më i shtrenjtë në çmime, për të gjithë ata që do të duan të pushojnë gjatë verës, pasi rritja e çmimeve ka ardhur në disa segmente njëkohësisht, duke e bërë thuajse të pamundur amortizimin e plotë të tyre, pa dhënë efekt te kostoja finale.
Pronarët e hoteleve thonë se kostot janë rritur me 30% nga energjia, ushqimet, pagat, nafta etj. Ndikim parësor në rritjen e kostos ishte lëvizja e Qeverisë shqiptare për të nxjerrë në tregun e parregulluar 7500 biznese të lidhura në tension 20,10,6 kw, ku bëjnë pjesë edhe struktura akomoduese të vendosura në të gjithë Shqipërinë. Këto biznese, që deri dje e blinin energjinë me 11-12 lekë/kwh tashmë po detyrohen ta blejnë me 18.8 lekë kwh, nëse janë në tension 20 kw dhe 19.7 lekë, nëse janë në tension 10,6 kw. Përveç energjisë, strukturat akomoduese raportojnë për rritje të çmimeve të ushqimeve, diçka e dukshme në treg, por një pjesë e mirë thonë se pesha e kësaj rritjeje në koston totale mbetet e vogël dhe mund të amortizohet. Rritje ka shënuar edhe çmimi i naftës, ku as këto struktura nuk shpëtojnë dot për nevojat e tyre.