Arbëri

Velija: Deponia në Zveçan e vetmja me impiant për ujëra të zeza, por jashtë funksionit

Velija

Drejtori ekzekutiv i Kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, Dardan Velija, ka thënë se e vetmja deponi me impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Kosovë gjendet në Zveçan. Por, siç ka theksuar ai, kjo nuk është ende në funksion e se shkak për këtë kanë qenë pengesat politike.

Velija është shprehur se problemi më i madh i deponive janë ujërat e zeza.

“E vetmja deponi që ka impiant për trajtimin e ujërave të zeza është deponia e Zveçanit e cila është ndërtuar para disa vitesh nga BE-ja, por nuk është ende në funksion për arsye politike. Plani është që kjo deponi të vijë nën menaxhimin tonë së shpejti dhe do jetë deponia e vetme në vend që i plotëson kriteret dhe standardin bashkëkohor për trajtimin e ujërave të zeza”, ka thënë ai në “Konfront”.


Velija: "Pastrimi" ia ka borxh 1.2 mln € Kompanisë për menaxhimin e mbeturinave

Drejtori ekzekutiv i Kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, Dardan Velija, ka thënë se kompania “Pastrimi” ua ka borxh 1.2 milionë euro. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Velija ka thënë se “Pastrimi” u ka premtuar se do ta kthejë borxhin në mënyrë mujore, por kjo gjë nuk po ndodh së fundmi. 

Sipas tij, në tetor borxhi kishte rënë në 800 mijë euro, por me kalimin e kohës borxhi është rritur. 

“Ndërmarrja ‘Pastrimi’ na ka tash mbi 1.2 milionë euro borxh që për ne si ndërmarrje është diku te 1/3 e të hyrave të një viti. Kemi pasur në vazhdimësi komunikim me aksionarët e ‘Pastrimit’ që janë komunat të cilat e kanë themeluar, por deri më tash nuk kemi e kemi gjetur një zgjidhje. Ndërmarrja ‘Pastrimi’ në mënyrë mujore na ka premtuar që do t’i dalë zot borxheve të veta dhe në mënyrë mujore kemi bërë marrëveshje me të. Ne si ndërmarrje e kemi për detyrim që mos të kemi borxhe. ‘Pastrimi’ ka pasur një kohë kur filloi t’i kthejë më shumë se faturën mujore dhe diku në muajin tetor ka rënë në 800 mijë euro borxhi, por nga tetori i vitit të kaluar gjendja ka ardhur vetëm duke u përkeqësuar dhe ata nuk e paguajnë as faturën mujore, lëre më borxhin e akumuluar të tyre”, ka thënë ai.