Arbëri

Vela: Serbia po rrezikon paqen në rajon me armatosjen e shpejtë

Shefi i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, e ka quajtur rrezikim të paqes në rajon, armatimin e pandalshëm të Serbisë.

Serbia ka prezantuar të shtunën sistemin e përsosur raketor kinez, që ka nxitur shqetësime në rajon dhe Perëndim. Në ekspozimin e armëve të reja, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “s’janë kërcënim për askënd”, por se vetëm përfaqësojnë “parandalimin e fuqishëm” ndaj sulmeve të mundshme. Në këtë ngjarje në aeroportin ushtarak afër Beogradit mori pjesë edhe lideri serb i Bosnjes, Milorad Dodik.

Ndaj këtij prezantimi ka reaguar Vela. Ai ka thënë se Serbia është i vetmi shtet në Evropë që ka pranuar dhe operon me sisteme të tilla armësh kineze.

“Serbia po armatoset me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë”, ka shkruar ai në Twitter.

Sistemi raketor HQ-22 u dërgua muajin e kaluar nga disa aeroplanë transportues të Forcës Ajrore Kineze në atë që besohet të jetë dërgesa më e madh ndonjëherë me transport ajror i armëve kineze në Evropë.

Edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e ka armatosur veten me shumicë armë ruse dhe kineze, përfshirë tanket e luftës T-72, avionët MiG-29, helikopterët sulmues Mi-35 dhe dronë.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve raketore HQ-22. Ata patën thënë se nëse Serbia vërtetë dëshiron të anëtarësohet në BE dhe aleancave të tjera perëndimore, duhet t’i bashkërendojë pajisjet ushtarake me standardet perëndimore.