Këshilli Prokurorial i Kosovës ka paraqitur emrat e kandidatëve për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe të asaj Speciale. Për drejtimin e Themelores, në garë ka mbetur vetëm prokurori Zejnullah Gashi, teksa për atë të Speciales pretendentë janë katër prokurorë, përfshirë edhe kryeprokurorin aktual. E në që të dy prokuroritë nga gara janë eliminuar dy gratë e vetme që kanë paraqitur kandidaturat
Të jashtëzakonshme e ka cilësuar Këshilli Prokurorial takimin e së premtes, në të cilin u bënë të ditur emrat e kandidatëve për kryeprokurorë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe në atë Speciale.
Për pozitën në Prokurorinë e Prishtinës nga gara është eliminuar prokurorja Fitore Sadiku, teksa ka mbetur vetëm kandidati Zejnullah Gashi.
Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial, Veton Shabani, ka thënë se prokurorja Sadiku ka paraqitur ankesë për eliminimin e saj, me justifikimin se nuk i përmbush kushtet.
“Kundërshtimi i prokurores, Fitore Sadikaj, ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të kandidatit për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, neni 14, paragrafi 3 i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës parasheh që kjo pikë të diskutohet me dyer të mbyllura”, ka deklaruar ai.
Ndryshe prej Themelores, në garën për kryeprokuror të Speciales janë katër kandidatë. Kandidatja e pestë dhe vetmja grua, Florije Shamolli, është eliminuar.
“Znj. Shamolli është njoftuar me vendim dhe me mundësinë e ankesës dhe e njëjta nuk ka paraqitur kundërshtim, andaj vazhdojmë t’ju ftojmë të votoni për listën e kandidatëve që kanë garuar për kryeprokuror të Speciales”, ka thënë Shabani.
Pjesë e listës është kryeprokurori aktual i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, që ka konkurruar edhe për një mandat, ani se emri i tij është dërguar sërish për dekretim për pozitën e Kryeprokurorit të shtetit.
Në garë është edhe zëvendësi i tij, prokurori Valdet Gashi. E aplikimin e kanë paraqitur edhe dy prokurorët specialë, Naim Abazi e Atdhe Dema.
Prokuroria Themelore në Prishtinë konsiderohet se ka mbulueshmërinë më të madhe për nga territori krahasuar me prokuroritë e tjera. Kryeprokurori aktual i saj është Kujtim Munishi, i cili nuk i ka hyrë garës.
E Prokuroria Speciale është institucioni më i avancuar i hetuesisë në Kosovë, shkaku që, krahas hetimeve për korrupsion të profilit të lartë, merret edhe me hetimin e rasteve të terrorizimit, krimit të organizuar dhe të krimeve të luftës.