Arbëri

Vdiq nga COVID-19 një lehonë nga Vitia

Një lehonë e moshës 26-vjeçare nga Vitia ka vdekur si pasojë e COVID-19 në orët e para të së dielës.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar  Gazmend Spahija, doktor në Klinikën e Mjekimin Intensiv në QKUK.

Spahija ka thënë se viktima i është nënshtruar më 2 shtator operacionit kirurgjik cezarian në Klinikën e Gjinekologjisë, për të kryer lindjen në javën e 38-të.

Sipas tij, po atë ditë, ajo është sjellë menjëherë në mjekim intensiv për shkak të gjendjes së saj të rënduar dhe vetëm dy ditë pas edhe ka vdekur.

“Po është e vërtetë. Rreth orës 02:30 të ditës së sotme pacientja e lindur në vitin 1995 ka vdekur nga COVID-19. Ajo i ishte nënshtruar operimit cezarian për kryerjen e lindjes mirëpo për shkak të gjendjes së rënduar, pasi ka pasur dëmtim të madh të mushkërive, është sjellë në mjekim intensiv”, ka thënë Spahija.

KOHA ka raportuar se të dielën, si pasojë e COVID-19 ka vdekur edhe një foshnje 3-javëshe e cila ishte po ashtu në mjekim intensiv.

Vetëm në katër ditët e para të shtatorit, në Kosovë kanë vdekur 101 persona të prekur me koronavirus. Në mesin e tyre gra shtatzëna, lehona dhe persona më të rinj se 40 vjeç.