Ka vdekur ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tina Kaidanow.
Ajo ka qenë ambasadorja e parë amerikane në Kosovë, pas shpalljes së Pavarësisë.
Për vdekjen e saj ka shkruar edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Tina ishte një udhëheqëse e guximshme dhe cila luajti një rol thelbësor në shumë ngjarje kritike dhe historike para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kisha nderin të punoja ngushtë me të dhe mësova shumë nga mençuria dhe përkushtimi i saj”, ka shkruar Osmani në X, duke u shprehur ngushëllime miqve dhe familjareve të ish-ambasadores.
Rolin e Kaidanow në procesin e shtetformimit të Kosovës e ka vlerësuar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
"Roli dhe kontributi i ambasadores Kaidanow, posaçërisht në procesin e shtetformimit të Kosovës, ka qenë i pazëvendësueshëm. Me vdekjen e saj, SHBA-ja humbi një diplomate të veçantë, e Kosova një aleate të përhershme", ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Për vdekjen e saj ka shkruar edhe ish-ministri i Brendshëm Skënder Hyseni.
"Paska ndërruar jetë Tina Kaidanow, ish ambasadore e SHBA-ve në Kosovë. Me Tinën kisha bashkëpunim dhe raporte të ngushta zyrtare. Përtej kësaj ishim edhe miq të mirë. Kontributi dhe angazhimi sistematik i Ambasadores Tina Kaidanow në përgatitjen e Kosovës për shpalljen e pavarësisë ishte dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Tina ishte një diplomate dhe grua e fortë e cila Kosovën dhe popullin e saj e donte me gjithë qenien e saj", ka shkruar Hyseni në Facebook.