Ka vdekur Bajram Qerkini, udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur.
Për këtë ka njoftuar Kushtrim Gara, nga Komisioni qeveritar për persona të zhdukur.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë të çmuar, Bajram Qerkini – një zë i palodhshëm në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur. Baca Bajram, siç e njihnim të gjithë me respekt, ishte shembull i përkushtimit, durimit dhe forcës shpirtërore”, ka shkruar Gara në Facebook.
Qerkini ka qenë i angazhuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në mesin e cilëve është edhe djali i tij, Reshati.
“Pavarësisht dhimbjes personale që e shoqëroi për 26 vite në pritje për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e djalit të tij të zhdukur, Reshatit, ai nuk u ndal kurrë së angazhuari për të gjithë ata që jetonin të njëjtën plagë. Është thellësisht prekëse që ai u nda nga kjo botë pa arritur të marrë lajmin dhe të mësojë vendndodhjen e të birit – një boshllëk që e shoqëroi deri në momentet e fundit. Një dhimbje e madhe për të cilën fliste rrallë, meqë ishte shndërruar në zërin e fuqishëm të të gjitha familjeve që jetojnë me dhimbjen dhe ankthin, në zërin e viktimave të heshtura”, ka shkruar Gara.
Varrimi i Qerkinit sipas familjarëve do të bëhet ditën e martë, më 25.02.2025, në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës.
Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Qerkini për ndarjen nga jeta të Qerkinit.
Osmani ka thënë se Kosova ka humbur një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi, megjithëse trashëgimia e tij mbetet e gjallë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, njeriun që me përkushtim dhe guxim i dha zë dhimbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Si Kryetar i Shoqatës ‘Zëri i Prindërve’, Bajrami ishte simbol i qëndresës, i drejtësisë dhe i përkushtimit të palëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Për më shumë se dy dekada, ai jetoi me dhimbjen për të birin e tij të zhdukur, duke mos u ndalur kurrë në kërkimin për të vërtetën”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Për vdekjen e Qerkinit ka shkruar edhe kryetari i Komisionit qeveritar për të zhdukurit, Andin Hoti.
“U prehtë në paqe Bajram Qerkini – i cili me përkushtim dhe kurajë u bë zëri i shumë familjeve që presin të vërtetën për të zhdukurit. Baca Bajram u largua nga kjo botë pa marrë përgjigjen që kërkoi për vite me radhë për djalin e tij, por angazhimi dhe trashëgimia e tij do të jetojnë përherë. Ngushëllime familjes Qerkini dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan”, ka shkruar Hoti.