Arbëri

Vdes i sëmuri mendor, dy orë pasi Emergjenca e Podujevës e vizitoi por nuk ndërhyri

Një ekip i emergjencës së Podujevës nuk i ofroi ndihmë mjekësore një të sëmuri me probleme mendore, ndonëse e vizitoi me ftesë të policisë. Pas dy ore, një tjetër ekip i emergjencës e gjeti atë pa shenja jete. Policia dhe Prokuroria janë aktivizuar, pasi dyshojnë se vdekja është pasojë e mosdhënies së ndihmës mjekësore.

Një burrë me probleme mendore dyshohet se ka vdekur, shkaku i mosofrimit të ndihmës shëndetësore nga një ekip i emergjencës së Podujevës.

Shefi i Emergjencës, Arben Beqiri, tregoi se të ndjerit i është ofruar shpesh ndihmë mjekësore dhe se në të kaluarën i është dhënë terapi në Emergjencë.

Por, ndryshe është vepruar në ditën kritike.

“Gjatë ditës së djeshme kemi pasur thirrje nga Policia. Ekipi mjekësore së bashku me Policinë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, e kanë gjetur një person ulur nën një pemë t’u pi cigare. Personi ka qenë agresiv më herët dhe për shkak të agresivitetit të tij, u shku ekipi mjekësor së bashku me Policinë dhe Policia e ka vërejtur se ai person në atë moment ka qenë i qetë. Nuk ka krye kurrfarë shërbimi, për arsye se në atë moment ka qenë i qetë”, tha Beqiri.

I ndjeri është gjetur i vdekur vetëm pak kohë më vonë, nga një ekip tjetër mjekësor i Emergjencës.

“Pas dy orëve prapë kemi pas thirrje nga Policia dhe personi është gjetur i vdekur”, tha Beqiri.

Tek ai nuk janë parë shenja dhune dhe ekipi i emergjencës e ka përshkruar si vdekje e natyrshme.

Por, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë nisur hetimet ndaj anëtarëve të ekipit mjekësor të Emergjencës në Podujevë. Autoritetet dyshojnë se vdekja e burrit me probleme mendore, është pasojë e mosdhënies së ndihmës mjekësore.

Në Prokurorinë e Shtetit theksuan se në këtë rast, po bëhen hetime për dy vepra penale.

“Lidhur me këtë rast në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me ç’rast me urdhër të njëjtës trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa hetimet janë hapur si ‘hetim mbi vdekje’ dhe ‘mosdhënie e ndihmës mjekësore’. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, të cilat çojnë drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”, tha zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Laureta Ulaj.

E në Polici nuk ofruan më shumë informacione për këtë rast, përpos atyre që i kanë përshkruar në raportin e ditës.