Arbëri

Vdekja në orar pune e zjarrfikësit në Aeroport hetohet si e dyshimtë

Një javë më parë në Aeroportin e Prishtinës ka vdekur një punëtor i njësisë së zjarrfikësve. Rasti, sipas Policisë, po hetohet nga Prokuroria Themelore, si vdekje e dyshimtë. Në Sindikatën e Punëtorëve të Aeroportit janë ngritur shqetësime për vonesat në lajmërimin e rastit në Polici nga autoritetet e Aeroportit, teksa thanë që zjarrfikësi, me inicialet H.Ç, ka vdekur gjatë stërvitjeve për t’iu nënshtruar një testi fizik e për të cilin theksojnë se nuk ishte i obliguar të hynte, bazuar në një udhëzim administrativ

Prokuroria Themelore e Prishtinës po e heton si të dyshimtë vdekjen në vendin e punës të një punonjësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, shtatë ditë më parë. 60-vjeçari me inicialet H.Ç., oficer i stacionit të zjarrfikësve në Aeroport, ka vdekur gjatë orarit të punës në mesnatën e së dielës së 10 shtatorit. Në Sindikatën e Aeroportit kanë shprehur shqetësimin se Policia u njoftua me vonesë për rastin dhe se doli në vendngjarje tek pasditen e së nesërmes.

Bashkim Latifi, kryetar i Sindikatës, ka thënë të ketë qenë ai personi që e informoi Inspektoratin e Punës dhe jo autoritetet e Aeroportit.

“Është shqetësuese, sepse punëdhënësi në momentin e rastit që ka ndodhur atë natë, është dashur ta lajmërojë rastin edhe në Polici, edhe në Inspektorat”, ka thënë Latifi.

Një ditë pas vdekjes, Stacioni Policor në Lipjan e kualifikoi rastin si vdekje në rrethana të dyshimta.

Në Polici e kanë konfirmuar për KOHËN se me rastin është duke u marrë Prokurori i Shtetit.

“Më datë 11.9.2023, në Stacionin Policor të Lipjanit është iniciuar rasti ‘Vdekje në rrethana të dyshimta’. Nga ana e hetuesve policorë, lidhur me rastin, po ndërmerren veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Por në Prokurori nuk u janë përgjigjur nga e mërkura pyetjeve të KOHËS rreth pistave të hetimit lidhur me rastin.

Në Sindikatë kanë thënë se në momentin e vdekjes, në Aeroport nuk ka pasur mjek kujdestar, por vetëm një infermier. Sipas Latifit, ishin punëtorët ata që e dërguan kolegun e tyre në Emergjencë, me autoambulancën e shërbimit të zjarrfikjes.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, konfirmoi se H.Ç. pati mbërritur në këtë Qendër pa shenja jete.

“Pacienti në fjalë është sjellë në Qendrën Emergjente më datë 11.9.2023, rreth orës 24:00, pa shenja jete, edhe përkundër masave të ndërmarra profesionale të RCP-së, është konstatuar vdekja në orën 00:34 minuta”, ka deklaruar ai.

Syla ka shtuar se shkaqet e vdekjes nuk kanë mundur të përcaktohen, pasi familjarë të viktimës nuk pranuan që trupit t’i bëhet obduksioni.

E në Sindikatë kanë thënë se ish-punonjësi ka vdekur tek po bënte stërvitje në palestrën e Aeroportit, gjatë parapërgatitjes për testin fizik, të cilit do t’i nënshtrohej në tetor, pasi atë të qershorit nuk e pati kaluar.

“Prej informatave që kam marrë, ai grup i zjarrfikësve ka qenë duke ushtruar, në mesin e tyre edhe H... dhe aty janë mundu me marrë kondicionin me e marrë formën për me e kalu, sepse është stres i madh nëse i thua dikujt që nëse nuk e kalon edhe një herë do të kesh pasoja. Me sa kam dëgjuar prej punëtorëve, që të gjithë e kanë pohuar, H. ka qenë më i shqetësuari rreth këtij rasti”, ka thënë Latifi.

Ai ka specifikuar se bazuar në një udhëzim administrativ të MPB-së, kolegu i vdekur nuk ka qenë i obliguar t’i nënshtrohet testimit, duke marrë parasysh moshën.

“Ka udhëzim administrativ që nuk e ka paraparë testimin mbi moshën 50- vjeçare dhe ne tash jemi të shqetësuar me këtë grupin e dytë që do të hyjë, prapë në mesin e tyre janë edhe një grup punëtorësh mbi 50 vjeç”, ka shtuar ai.

Në udhëzimin për përcaktimin e kritereve për aftësitë psiko-fizike të zjarrfikësve, specifikohet se verifikimi i aftësive fizike është i obliguar për të gjithë zjarrfikësit e kategorisë A dhe B. Për meshkujt deri në moshën 50-vjeçare e gra deri në 45 vjet. Sipas Ligjit për zjarrfikje dhe shpëtim, zjarrfikësit e Aeroportit janë zjarrfikës industrial dhe i takojnë kategorisë B.

Përkitazi me shqetësimet e ngritura për rastin, nga Aeroporti i Prishtinës nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e KOHËS.