Komuna e Podujevës ka vazhduar aksionin për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Batllavë, i cili ishte ndërprerë muaj më parë. Këto ditë pritet të rrënohen 4 vila, të cilat ndodhen në zonën e dytë në Liqenin e Batllavës.
Nga Zyra për informim në Komunën e Podujevës kanë thënë për KOHËN se herën e kaluar kanë pasur disa telashe gjatë këtij aksioni, pasi siç ka thënë, kompania e angazhuar është tërhequr.
“Kanë qenë disa telashe herën e kaluar, për shkak se kompania e rrënimeve e ka ndërprerë punën, përkundër insistimit tonë që të përfundojë i gjithë aksioni i rrënimit të vilave për të cilat ka pasur vendim për rrënim, kompania u tërhequr dhe ju ka shkëputur kontrata”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media.
Sipas tyre, pas zhvillimit të procedurave të tjera është lidhur një kontratë e re me një operatorë tjetër dhe tani po përmbyllet procesi i rrënimeve që kanë mbetur në gjysmë.
Zyrtarët komunalë kanë thënë se ka edhe ndërtime tjera që janë ndërtuar pa leje në zonën e Orllanit.
KOHA ka raportuar vitin e kaluar se si mali ishte prerë për t’i hapur rrugë ndërtimeve të vilave luksoze në fshatin Orllan. Inspektorati Qendror për Pylltari dhe Gjueti, i cili vepron në kuadër të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, kishte gjetur një formulë që mundësonte ndërtimet ilegale pa u penguar nga askush. Ky institucion kishte konstatuar situatën, por nuk kishte ndërmarrë masa. Krejt çfarë kishte bërë, ishte raportimi i rastit në Ministrinë e Mjedisit.
Dhe masat kishin munguar edhe pasi Ministria e kishte bërë të qartë se nuk ka kompetencë mbi pronat me pyje shtetërore të Agjencisë. Ndërkohë, ndërtuesit privatë e kishin shfrytëzuar këtë situatë, por edhe kohën e pandemisë dhe vakumin institucional gjatë periudhës së zgjedhjeve lokale për t’iu dhënë hov ndërtimeve në këtë pjesë. Vilat e ngritura janë shndërruar në biznese hoteliere, që janë duke u shfrytëzuar nga shumë turistë.
Sipas Raportit të Auditorit, mosveprimet nga DQIPGJ-ja mund të konsiderohen si shkelje dhe lejim të dëmtimit dhe degradimit të tokës pyjore, qoftë të atyre publike apo private në këtë zonë.
Çështja e ndërtimeve pa leje ishte bërë mollë sherri edhe ndërmjet zyrarëve komunalë të Podujevës. Ish-drejtori i Inspektoratit, Besnik Mulliqi, pasi ishte shkarkuar e kishte akuzuar kryetarin e Komunës, Shpejtim Buliqi, se e kishte penguar të zbatojë ligjin lidhur me ndërtimet pa leje, veçanërisht atyre në Orllan. Kurse, Bulliqi kishte thënë se Mulliqin e kishte shkarkuar pikërisht për sabotim të punës lidhur me ndërtimet pa leje.