Katër ditë pas përballjes në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, kanë vazhduar polemikat në distancë mes presidentes Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiq. Akuzat që ai i ka bërë pas kthimit në Beograd, Osmani i ka quajtur deklarata post-traumatike.
Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se homologu i saj serb, Aleksandër Vuçiq, pësoi traumë katër ditë më parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur u përball me katër gra viktima të luftës, që ishin pjesë e delegacionit të Kosovës. Ato ose ishin te dhunuara nga forca serbe, ose të mbijetuara të masakrave.
Presidentja Osmani e bëri vlerësimin, tek komentoi mbi reagimin e Vuçiqit pas përplasjes verbale që mes vete patën në Nju Jork.
“Ai ka bërë një sërë deklaratash post-traumatike. Ajo çfarë kemi bërë ne thjesht e kemi thënë të vërteten, vetëm të vërtetën para syve të botës dhe të vërtetën nuk mundet askush ta sulmojë as ta mohojë, e as Serbia”, ka thënë ajo të premten.
Pas kthimit në Beograd, Vuçiqi u tha mediave serbe se shteti që ai përfaqëson kishte rënë në një kurth të ngritur nga Shtetet e Bashkuara, Zvicra dhe Sllovenia. Sipas tij, ishin delegacionet e këtyre shteteve që mundësuan pjesëmarrjen e të katër grave në sallën e Këshillit të Sigurimit, si pjesë e delegacionit të Kosovës.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i Sllovenisë në OKB, Samuel Zbogar, i cili ka qenë shef i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, foli edhe për masakrat që në Kosovë i ka kryer Serbia.
Raportet Serbi-Slloveni u lëkundën këtë javë, kur Vuçiqi ofendoi sllovenët, duke i quajtur të marrë. Më pas kërkoi falje, por tha se ajo vlen për popullin, e jo për politikanët.
E presidentja Osmani ka thënë se bota e ka ditur paraprakisht atë çka e tha në Këshill të Sigurimit, në përballje me Vuçiqin.
“Të gjitha gjërat që kam thënë në seancë janë të gjitha të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare”, u shpreh ajo.
Në delegacionin e prirë nga presidentja Osmani, ishin edhe Elhame Muçolli, e mbijetuar e masakrës së Poklekut, Fahrije Hoti së cilës iu vra burri në masakrën e Krushës, si dhe dy gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfie Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri.