Furrat e Gëlqeres në Komunën e Shtimes, prej vitesh funksionojnë pa ndonjë pengesë të institucioneve përkatëse.
Me gjendje më të rëndë përballen banorët e fshatrave Dugë, Rancë dhe Karaçicë, derisa furrat e gëlqeres ndizen çdo vikend.
Por të mërkurën rreth kësaj çështje janë aktivizuar zyrtarët policorë në regjionin e Ferizajt, siç thuhet, me qëllim që kjo dukuri të parandalohet.
Komandanti i stacionit të policisë në Shtime, Toger Haxhi Behluli ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësues nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Inpektoratin për Ruajtjen e Mjedisit dhe Ambientit nga komuna e Shtimes, komandantin e stacionit të policisë në Suharekë dhe Shefin e Njësisë për Hetimin e Krimeve Mjedisore.
Nëpërmjet një komunikate zyra për informim në stacionin e Policisë në Ferizaj, ka njoftuar se temë e diskutimit ishte koordinimi dhe bashkëpunimi për parandalimin e ndotjes së ambientit dhe mjedisit në rajonin e Shtimes, përkatësisht trajtimi i rasteve të personave që ndezin furrat e gëlqeres në disa fshatra të komunës së Shtimes: Karaçicë, Dugë dhe Rancë.
“Në këtë takim, veç tjerash është diskutuar edhe situata e sigurisë në rajonin e Shtimes, e cila është vlerësuar të jetë e qetë, stabile dhe e menaxhuar. Ndërsa është rekomanduar që të merren masa shtesë për parandalimin e dukurisë së ndotjes së mjedisit dhe ambientit në këtë rajon. Komandanti Behluli i siguroi të pranishmit se stacioni në Shtime i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka zhvilluar procedura hetimore në koordinim me inspektorët e komunës së Shtimes dhe se policia do të mbështesë dhe do të asistojë sa herë inspektorët e komunës, por edhe të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, për parandalimin e kësaj dukurie dhe ndëshkimin e personave, me qellim të ruajtjes nga ndotja të ambientit dhe mjedisit në këtë rajon’, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës në Ferizaj.
Në komunikatë thuhet se Policia ka ftuar qytetarët për bashkëpunim. “Nëse kanë informacione për personat që ndotin mjedisin dhe ambientin, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë.