Arbëri

Vazhdon “lufta” për NPB-në, opozita thotë se kapësit janë ndarë në dy grupe

Për “kapje” dhe “tentim kapjeje” të Ndërmarrjes Publike Banesore, kanë akuzuar njëri-tjetrin, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet dhe të larguarit nga ajo, gjatë muajit të fundit.

E gjitha ka nisur me ndarjen e partisë, që edhe mandatin e kaluar ishte përballur me të njëjtat akuza, veçse atëkohë ato i bënin partitë opozitare, LDK-ja e PDK-ja.

Këta të fundit madje patën prezantuar edhe listat me emrat e aktivistëve të Vetëvendosjes të punësuar në NPB, raporton 038, i KTV-së.

Kjo ndërmarrje u kthye në qendër të vëmendjes, kur dy nga tre aksionarët komunalë – të larguar nga Vetëvendosje – drejtori i Pronës, Dren Kukaj dhe asamblisti Qëndrim Sahiti, zgjodhën anëtarët e përkohshëm të bordit drejtues.

Ky vendim i Komisionit të Aksionarëve, u kundërshtua nga anëtari i tretë, asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, që akuzoi ish-bashkëpartiakët e tij, se po duan ta kapin ndërmarrjen, që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Nexhat Kryeziu. Këtij i ka përfunduar mandati më 31 mars.

Por kur Kukaj e Sahiti shkuan në ndërmarrje për ta protokolluar vendimin e Bordit të Përkohshëm për emërimin e Hajdar Hoxhës kryeshef i përkohshëm, ata nuk u lejuan të hynin brenda.

Ndalimin te porta kryesore, me urdhër të Kryeziut, ata e quajtën “kapje”.

Moslejimin e hyrjes së aksionarëve në NPB, zyrtarë të kësaj të fundit e kanë arsyetuar, duke thënë çdo takim i tyre me stafin administrativ është në kundërshtim me parimet e qeverisjes së korporatave.

“Vendimet e Kryeshefit aktual Ekzekutiv janë të zbatueshme dhe të ligjshme. Ai ushtron detyrën e tij sipas vendimit të Bordit të Drejtorëve. Më datën 23.03.2018, në harmoni me kompetencat e veta ligjore, Bordi i Drejtorëve, për shkak të vonesës nga Komisioni i Aksionarëve (përfshirë Dren Kukaj dhe Qëndrim Sahitin) ka dështuar që me kohë ta përzgjedhë menaxhmentin e ri. Andaj, deri në vendimin e ardhshëm të bordit, mandati i Kryeshefit aktual vazhdon”, ka thënë Rajmonda Ahmetaj, zëdhënëse në NPB.

Për opozitën në kryeqytet, skena të tilla nuk janë të reja, veçse, sipas tyre, tash ato po i kthehen si “boomerang”, Shpend Ahmetit, që dikur nuk i pranonte aksionarët e tyre.

Sipas ish-asamblistit Lirak Çelaj, që këtë mandat nuk është pjesë e Kuvendit Komunal, të njëjtit njerëz, që sa ishin bashkë në Vetëvendosje politizuan e mbushën ndërmarrjen me aktivistë politikë, akuzonin opozitën se po i bllokonte.

Nëse, gjendja e kësaj ndërmarrjeje dhe të tjerave, nuk bëhet temë diskutimi në Kuvendin e Kryeqytetit me marrëveshje e së shpejti, asamblisti i LDK-së, Sokol Havolli ka paralajmëruar seancë të jashtëzakonshme për këtë.

Televizioni ka kërkuar detaje nga NPB-ja për numrin dhe llojin e pronave të saj, shfrytëzimin e tyre, numrin dhe pagat e punëtorëve, si dhe raportet financiare, por nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë.