Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të mërkurën me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879, sërish në seancë private.
Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij në seancën e së hënës dhe e ka vazhduar në seancën e së martës, ku pjesën më të madhe të kohës seancat janë zhvilluar në sesion privat.
Të martën mbrojtja e Selimit ka filluar marrjen në pyetje të këtij dëshmitari. Ai po vazhdon të përgjigjet edhe të mërkurën në pyetjet avokatit Geeoffrey Roberts, i cili me të filluar seanca ka kërkuar të kalohet në sesion privat.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë. / Betimi për Drejtësi