Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, ka njoftuar se reduktimet e energjisë elektrike janë duke vazhduar.
Ai ka njoftuar se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka udhëzuar që të aplikohen kufizimet e energjisë elektrike me orarin 6 me 2.
“KOSTT-i na ka udhëzuar që të aplikojmë kufizime të energjisë elektrike. Po, njëjtë është aktualisht, por gjendja mund të ndryshojë varësisht nga kërkesa e KOSTT-it”, ka thënë Buzhala për KOHËN.
Pas njoftimit të KEDS-it të dielën se do të ketë reduktime të rrymës nga e hëna, një ditë më vonë, Ministria e Ekonomisë tha se falë bashkëpunimit me Shqipërinë janë evituar reduktimet dhe është kthyer furnizimi i rregullt me rrymë. Por, reduktimet vazhduan edhe gjatë dy ditëve të tjera.
Ndërsa, nga KOSTT-i kanë paralajmëruar se mund të ketë kufizime varësisht nga ngarkesa në rrjetin energjetik.
Sipas njoftimit të KEDS-it, kufizimet po ndodhin pasi nga e hëna vendi ka filluar të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor.
“Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhet në njoftim.