12:00 Me ceremoni mortore, tashmë është varrosur Adem Demaçi.
Demaçi, një figurë që do të kujtohet nga secili, është varrosur në “Varrezat e Dëshmorëve” në Velani.
Pas varrimit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, më pas, kryeministri Ramush Haradinaj me ish-kryeministrat Agim Çeku e Bajram Kosumi, kanë vendosur kurora lulesh mbi varrin e tij. Pas tyre, kurora lulesh vendosën edhe familjarët.
Demaçi u cilësua si hero jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve.
Demaçi vdiq të enjten në moshën 82 vjeçare.
11:10- Kortezhi i Adem Demaçit, tashmë ka mbërritur te “Varrezat e Dëshmorëve”, në Velani.
Demaçi, pas pak pritet të varroset aty.

10:50- Kortezhi i Demaçit niset drejt varrezave të Velanisë
Kortezhi i Adem Demaçit, tashmë është nisur drejt varrezave të Velanisë, ku në orën 12:00 pritet të varroset në “Varrezat e Dëshmorëve”.

10:15-Abetare Demaçi: Kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët
Abetarja: Babai im tha, po ta njihnin shqiptarët mirë veten, do luftohej e keqja
Abetare Demaçi, vajza e Adem Demaçit, mori fjalën para të pranishmëve ku po mbahet ceremonia mortore.“Para se të vdiste më thoshte se më e rëndësishmja është ta njohësh veten. Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit dhe do na përsëritet historia”, ka thënë Abetare Demaçi, duke i kujtuar mesazhet që i kishte lënë babai i saj. “Qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të”, përfundoi ajo.
Ndërsa, djali i Demaçit, Shqiptar Demaçi, falënderoi të gjithë ata që janë sot të pranishëm për të nderuar babanë e tyre Adem Demaçin.

Meta: Sot fjalët janë të pakta, e dhimbja e madhe
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në ceremoninë komemorative për veprimtarin Adem Demaçi, ka thënë se ai qëndroi, luftoi dhe fitoi, duke u bërë shembull për të gjithë shqiptarët.
“Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove. Do të mbetesh përjetë Adem Demaçi shqiptar. Sot fjalët bac janë të pakta për ty, dhimbja është sa një mal”, tha ai.
Haradinaj: Kur të tjerët gëzuan lirinë e pjesshme, Demaçin e mundonte robëria e pjesshme
Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se baca Adem Demaçi ishte patriot si të tjerët por i veçantë me veprën e tij.
“Ishe i vetëm për të drejtën e plotë, kur të tjerët ju gëzuan lirisë së pjesshme, ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti dhe nga liria jote më shumë se të gjithë ne për së gjalli”, tha Haradinaj.
Thaçi: Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK-së
E plotësuar - 09:58 - Nën përkujdesen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në sheshin e Prishtinës po mbahet ceremoni përkujtimore për nder të jetës dhe veprës së veprimtarit Adem Demaçi.

Ceremonia filloi me intonimin e himnit shtetëror pastaj kombëtar, dhe me një minutë heshtje.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është në zi dhe bota shqiptare në pikëllim.
“Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK-së, pasi me qëndresën e tij u bë simbol i lirisë kombëtare. Shpirti i tij ishte më i fuqishëm se burgu jugosllavë dhe rrezatoi humanizëm”, tha presidenti Thaçi.
Thaçi tha se Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare, simbol i humanizmit. Ai tha se Demaçi u shndërrua më frymëzues.
Gjatë fjalimit të tij Thaçi tha se Demaçi ishte i madh edhe kur fliste dhe kur kritikonte. Thaçi tha se Demaçi ishte kolos i mendimit të lirë.
09:24- Arkivoli i Demaçit sillet në sheshin “Skënderbeu”
Arkivoli i veprimtarit Adem Demaçin me përcjellje shtetërore është dërguar në sheshin’ Skënderbeu’, në Prishtinë për homazhe.
Aty është sjellë nga garda përcjellëse e FSK-së.
Ndërkohë së shpejti pritet të nisë ceremonia komemorative.
{gallery}