Arbëri

Valtonen: Kosova e Serbia të bëjnë progres në normalizim

Pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, Valtonen ka kërkuar angazhimin e autoriteteve të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. “Finlanda i nxit Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë progres në normalizim përbrenda kornizave të dakorduara para një viti në marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja për rrugën drejt normalizimit. Dhe jemi më se të gatshëm t’ju përkrahim në këtë rrugë”, ka thënë ministrja finlandeze

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të saj për rrugën euroatlantike të Kosovës, si dhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. 

Gjatë vizitës së saj të enjten në Prishtinë, Valtonen ka takuar zyrtarë të lartë shtetërorë. Pas takimit që ka pasur me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, Valtonen ka theksuar se Finlanda është e gatshme që të punojë intensivisht me Kosovën për rritjen e marrëdhënieve tregtare dhe për forcimin e sektorëve të ndryshëm, përfshirë digjitalizimin dhe energjinë e pastër.

E krahas kësaj, ajo ka kërkuar angazhimin e autoriteteve të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Finlanda i nxit Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë progres në normalizim përbrenda kornizave të dakorduara para një viti në marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja për rrugën drejt normalizimit. Dhe jemi më se të gatshëm t’ju përkrahim në këtë rrugë”, ka thënë ministrja finlandeze.

E Gërvalla pasi e ka falënderuar ministren Valtonen për rolin e Finlandës në kuadër të KFOR-it, ka bërë të ditur se në takim është biseduar mbi sfidat e sigurisë në Evropë, për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe për sjelljen hegjemoniste të fqinjëve dhe aleatëve të Rusisë në Evropë. 

Një prej çështjeve që janë diskutuar, Gërvalla ka thënë se ka qenë situata në katër komunat veriore.
“Kemi diskutuar edhe për zhvillimet në veri të vendit, veçanërisht për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vjet, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe të bashkimit”, ka thënë ajo.

Valtonen është pritur në takime të ndara edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Presidentja Osmani ka thënë se Valtonen e ka falënderuar për rolin mbështetës të Finlandës për Kosovën. 

“Në mbrojtjen e vlerave evropiane, Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura! Në takim me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e falënderova për mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në çdo etapë, përfshirë procesin e shtetformimit, shtetndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale.

Falënderim për Finlandën ka shprehur edhe kryeministri Kurti ndërlidhur me mbështetjen që ky shtet i ka ofruar Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në integrimin evropian, si dhe për kontributin në fushën e sigurisë dhe të sundim të ligjit.

“Politikat e tyre për zhvillim të qëndrueshëm dhe përgjegjësi sociale janë shembull dhe frymëzim për qeverisjen tonë. I jemi mirënjohës për mbështetjen e parezervë dhe kontributin e vazhdueshëm si në rritjen ekonomike e progresin demokratik, ashtu edhe në afirmim ndërkombëtar, mbrojtje dhe siguri”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Finlanda e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 7 mars të vitit 2008.