Arbëri

Vaksinimi u jep shpresë të moshuarve, ndihen më pak të kërcënuar nga COVID-19

Plotësimi i një formulari ku paraqiten të dhënat dhe historiku i gjendjes shëndetësore është e vetmja gjë që u kërkohet qytetarëve që vaksinohen kundër COVID-19 në Kosovë. Rrjedhimisht, ata me vete nuk duhet të kenë ndonjë test që tregon nivelin e imunitetit të tyre. Të premten ka nisur vaksinimi i personave të moshës nga 75 deri 79 vjeç me sëmundje kronike. Pas marrjes së dozës së parë, ata kanë thënë se ndihen më pak të kërcënuar nga COVID-19

Një formular në të cilin paraqitet gjendja shëndetësore dhe të dhënat e tjera është e vetmja gjë që u kërkohet qytetarëve para se të vaksinohen kundër COVID-19. Para vaksinës, mjeku po ashtu e pyet secilin nëse ka ndonjë shqetësim, ose ndonjë alergji.

Niman Bardhi, i cili është koordinator i qendrës së vaksinimit “1 Tetori” tregon procedurën që kalon një qytetar para se të vaksinohet.

“Bëhet plotësimi i deklarimit të pëlqimit të marrjes së vaksinës, si dhe plotësimi i formularit, pjesa e parë lart, e pjesa e poshtme me pyetje pasuese që i realizon mjeku para se ta vaksinojë duke e pyetur për procesin, alergjitë e mundshme e gjëra të tjera”, është shprehur ai.

Sipas Bardhit, në rast se një person deklaron se ka ndonjë shqetësim, atëherë vaksinimi i tij shtyhet për një moment tjetër.

Por, përveç këtyre informacioneve, qytetarët thonë se nuk u është kërkuar ndonjë analizë e veçantë laboratorike. Nazif Lepaja, qytetar i cili kishte shkuar në sallën “1 Tetori” për t’u vaksinuar, thotë se nuk ka bërë analizat për të parë nëse ka antitrupa.

“Unë kam pasur kujdes, jam ruajtur shumë, nuk kam bërë asnjë nga analizat e gjakut që i bëj çdo muaj për antitrupa”, është shprehur ai. Lepaja shpreson që vaksina do ta ndihmojë atë për të mos u infektuar me COVID-19.

Një tjetër qytetar, Xhemajl Rexhepi, e i cili thotë se vitin e kaluar e ka pasur virusin, tregon se nuk ka bërë analiza për të parë gjendjen e tij. Kjo, sipas tij, nuk është kërkuar as nga stafi.

“Analiza të posaçme s’kam bo, por i kam rregullu më herët, gjendjen e kam mirë, e kam kalu unë vitin e kaluar, kështu që tashmë vaksina shpresoj që ndihmon”, ka thënë ai.

Për procesin e vaksinimit ka folur në “Interaktiv” edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka. Ai ka thënë se kushdo që dëshiron të testohet me test serologjik përpara vaksinimit, mund ta bëjë.

“Më pak mjekë kanë marrë sesa që kemi pritur, por një pjesë e tyre kanë thënë se e kanë kaluar dhe ende kanë antitrupa. Ne jemi duke bërë edhe testet serologjike, kur mendojnë me e shiku nëse i kanë antitrupat ende aktivë”, është shprehur Haskuka.

Nga kjo e premte ka filluar edhe vaksinimi i personave 75 deri 79 vjeç, derisa është parë interesim i madh i qytetarëve për t’u vaksinuar.

Sipas koordinatorit të qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, mbi 150 persona janë vaksinuar vetëm në orët e paradites, ndër ta edhe disa punonjës shëndetësorë.

“Është një fluks që deri në orën 12:20, sipas statistikave që më kanë ofruar kolegët këtu nga tavolinat e vaksinimit, deri më tani janë të vaksinuar 170 persona. Ku prej tyre të sëmurë kronikë janë 154. Ndërsa të tjerët janë profesionistët dhe prapë që kemi një grupmoshë dhe katër pacientë që janë të dializuar. Aktualisht, sot procesi është më voluminoz, por çdo gjë po ec mbarë e mirë. Akoma nuk kemi pasur dhe urojmë që të mos kemi ndonjë shqetësim prej këtyre personave që po vaksinohen”, theksoi Bardhi.

Ai ka treguar edhe për numrin e personave të cilët janë vaksinuar për gati tri javë në këtë qendër.

“Nga periudha kur kemi filluar me të moshuarit dhe tani me të sëmurit kronikë, numri po shkon te 1.500”, ka shtuar ai.

Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një njoftimi ku ka treguar për kategoritë që fillojnë të vaksinohen të parat, ka sqaruar se numri i personave që do të vaksinohen nga kategoria e të prekurve nga sëmundjet kronike brenda grupmoshës 75-79 varet nga numri i dozave të vaksinës kundër COVID-19 në dispozicion.