Kontingjenti kërkim-shpëtues i Forcës së Sigurisë së Kosovës është pritur me duartrokitje në aeroportin e Adanasë në Turqi, pasi Kosova vendosi t’i dërgojë një ekip ushtarësh si pjesë e operacionit ndërkombëtar humanitar në Turqi, pas tërmetit shkatërrues të së hënës.
Turqia është goditur nga tërmete të fuqishme të hënën, përfshirë një 7.8 ballë Rihter. Ky tërmet shkaktoi vdekjen e rreth 4900 personave në Turqi e Siri.
Të hënën në mbrëmje ekipi i FSK-së u nis nga Kosova, ndërsa me të arritur në Turqi është pritur me duartrokitje nga turqit, sipas një videoje të publikuar në Twitter nga Fondacioni “SETA” në Washington DC.
Task-forca e FSK-së përbëhet nga specialistët në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Ai ka thënë se po që se ka kërkesë e nevojë për rritje të kapacitetit reagues, Kosova është e gatshme t’i shtojë kapacitetet e ndihmës.
“Republika e Kosovës ka ushtrinë profesionale me moral të lartë për të qenë në shërbim të vendit dhe vendeve e popujve miq kudo dhe kurdo që shfaqet nevoja”, ka thënë ai.