Ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, ka thënë se pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të veçanta”, përkushtimi i USAID-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur.
“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të veçanta, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka thënë ajo në konferencën p p[ër media pas takimit që ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani.
Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi për të cilin ka thënë se është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike dhe se mbështetja e USAID-it do të mbetet e palëkundur për Kosovën.
“E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi bërë në 25 vitet e fundit, USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritet me Kosovën për të siguruar që momenti drejt kësaj të ardhme të mos lëkundet, por të përshpejtohet dhe përfundimisht të vazhdojë”, ka deklaruar McKee.
Ajo ka theksuar se USAID-i është i përkushtuar për të vazhduar punën me Kosovën në reformat e nevojshme për të minimizuar mundësitë për korrupsion, për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës e për të investuar në pajisjen e gjeneratës së ardhshme.
“Duke i dhënë përparësi nevojave të të gjithë qytetarëve dhe duke siguruar një gjyqësor të fortë dhe të pavarur, ne kontribuojmë në zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve gjyqësore të drejta dhe të paanshme, gjë që është kritike, sundimi i ligjit është jetik, jo vetëm për një demokraci në zhvillim, por për të ofruar siguri për investitorët, për qytetarët, për ata që e dinë se e ardhmja e tyre është këtu në Kosovë dhe jo gjetkë”, është shprehur McKee, shkruan KP.
Ajo ka theksuar se është e kënaqur me progresin e Kosovës dhe se vendi po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat.
“Kosova po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat. USAID-i është i përkushtuar në ndërtimin e aftësive të nevojshme për të shfrytëzuar frymën e tyre sipërmarrëse për t'u bërë lider në sektorin privat të Kosovës dhe për të çuar përpara potencialin për të zhbllokuar atë prosperitet që ne e dimë që Kosova duhet t'i ofrojë jo vetëm vetë Kosovës, por gjithë rajonit, dhe sinqerisht, mbarë Evropës”, ka deklaruar McKee.
Osmani: Kontributi i USAID-it, shembull i përkushtimit të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin E. McKee, ka thënë se kontributi i USAID-it në Kosovës është shembull i përkushtimit të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës.
Osmani ka theksuar se kontributi i USAID-it në Kosovës është shembull i përkushtimit të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës.
“Në Kosovë kur flitet për USAID-in flitet për zhvillim ndihma dhe mbështetja juaj për popullin e Kosovës ndër vite asociohet ngushtë me etapa të rëndësishme zhvillimore të vendit tonë. Vizita juaj dhe takimi që sapo e përfunduam janë dëshmi e angazhimit dhe punës së jashtëzakonshme të USAID-it në partneritet me qytetarët tanë institucionet tona mbi të gjitha me shtetin tonë. Kontributi i USAID me dekada është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të ShBA-ve, Amerikës dhe popullit amerikan për ta ndihmuar vendin tonë në arritjen e sukseseve tona”, ka theksuar Osmani.
Sipas saj bashkëpunimi me USAID-in reflekton partneritetin e Kosovës me SHBA-në.
“Një partneritet i ndërtuar me besim të ndërsjellë të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëllimi ynë i përbashkët. Një Kosovë më e fortë e zhvilluar, gjithëpërfshirëse dhe e integruar në institucionet euroatlantike. Në përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrahë shtetit tonë duke investuar mbi 1 miliardë dollarë në Republikën e Kosovës e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrin diku në 2 miliardë dollarë”, është shprehur Osmani.
Përmes projekteve të ndryshme, sipas saj, është prekur çdo aspekt i jetës së qytetarëve.
“Është ndihmuar edhe më tutje fuqizimi i grave, rinisë dhe komuniteteve në të gjitha fushat. Për më tepër këto projekte kanë mbështetur bizneset drejt rritjes së qëndrueshme, kanë mbështetur shpirtin e sipërmarrës të të rinjve tanë, tranzicionin energjetik si dhe kanë ndihmuar në fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Ne sapo kemi shënuar 16 vjet si shtet i Pavarur përgjatë këtyre viteve sukseset tona të njëpasnjëshme janë arritur me mbështetjen e SHBA-së, aleatëve tanë”, është shprehur Osmani. /EO