Arbëri

Ura e shkatërruar ua vështirëson qarkullimin banorëve të shumë fshatrave të Lipjanit

Banorët e disa lokaliteteve në Lipjan kërkojnë ndërtimin e urës mbi lumin Sitnica, e cila u dëmtua nga vërshimet. Në mungesë të urës, ata bëjnë kilometra më shumë rrugë për të mbërritur në qytet, e edhe për të punuar tokat bujqësore. Autoritetet lokale thanë se nuk kanë buxhet për projektin, e mjetet e ndara nga niveli qendror janë të pamjaftueshme për ta kontraktuar ndërtimin e urës së re

Që nga koha e vërshimeve të muajit prill të këtij viti është dëmtuar ura në fshatin Rufc të Lipjanit, e cila lidh disa fshatra me qytetin. Deri tash ajo nuk është rindërtuar.

Banorët thonë se ura është e domosdoshme, pasi detyrohen të udhëtojnë disa kilometra nëpër rrugën rajonale për të shkuar në qytet dhe për t’i punuar tokat bujqësore përtej lumit Sitnica.

Shyqeri Hyseni, banor i fshatit Rufc, tha se ndërtimi i urës së re do t’ua lehtësonte qarkullimin edhe nxënësve që mësojnë në shkollat e qytetit.

“Janë disa fshatra që lidhen, dy Rufcat, Ribari i Madh, Ribari i Vogël dhe të gjitha këto fshatra në këtë pjesë. Prandaj kjo rrugë është shumë e domosdoshme dhe ka nevojë shumë”, ka thënë Hyseni.

E, Vedat Merovci, banor i fshatit Rufc, tregoi se së shpejti do të dorëzohet një peticion në Komunë pasi që ndërtimi i urës nuk figuron as në listën e investimeve për vitin 2024.

“Jemi me banorët duke i mbledhur disa nënshkrime me peticion për këtë punë, sepse neve si fshatarë na ndihmon të kalojmë, sepse janë 2 kilometra që na lidhin me qytetin dhe i kemi mbi 100 hektarë tokë të punueshme, edhe më së shumti na ndihmon për tokë”, ka thënë Merovci.

Autoritetet lokale nuk dhanë shpresë se ura do të ngrihet me buxhet të Komunës dhe treguan se i janë drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me kërkesën për mbështetje financiare.

“Kjo ministri i ka zotu vetëm 154 mijë euro për vitin 2023, por nuk ka dhënë disponushmeri të mjeteve për vitin 2024, e këto mjete nuk mjaftojnë pasi që ky projekt ka kosto shumë të lartë deri në 300 mijë euro, andaj nuk mund të vazhdojmë me procedurë të prokurimit. Kemi bërë prapë kërkesë për sigurimin e mjeteve nga kjo ministri, por ende nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Sead Aliu, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Lipjanit.

E, Ministria e Mjedisit nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me kërkesën e Komunës për ta përkrahur këtë projekt.

Krahas dëmeve në infrastrukturë, vërshimet e muajit prill kanë shkaktuar edhe dëmtim të të mbjellave.