Arbëri

Ura e Ibrit, shtëpi për çiftin e pastrehë

Tash e dy vjet çifti nga Mitrovica, Vahide Habibi dhe Bashkim Ceraviku, jeton nën qiellin e hapur, pa ushqim dhe në mungesë të kushteve elementare për jetesë. Çifti strehën e ka improvizuar tek ura e Ibrit.

52- vjeçari tregon jetën e vështirë të tij që e ka përcjellë qysh nga fëmijëria.

“Na s’kemi ka me ja majtë. Pare me pagu qira nuk kam, me pas nuk e kisha ngushtu shtetin temë e as kërkon, me pas veç një copë truall me dërrasa e kisha maru. Unë e marrë një social 60 euro, shoqja e merr një pensi invalidore ja kam nxjerrë, po për ilaçe nuk po dalin”, ka thënë Ceraviku.

Se jetesa në urë të Ibrit është e rrezikshme e thotë edhe 35-vjeçarja Vahide Habibi, gruaja e Bashkim Ceravikut. Sipas saj, një vendbanim do të kthente gjithçka në normalitet.

“Shumë është e vështirë tepër se na nuk kemi këtu kulm mbi krye, sidomos dimrit është shumë vështirë. Unë për veti kisha thanë kush mundet naj send me na ndihmu faleminderës. Njerëzit rrugës na kanë thonë jo 1 euro, jo 50 cent. Me na ndihmu veç një shpi me na bo, një kulm mbi krye tjetër kurrgjë. Unë për veti nuk jam kurrqysh se jam e sëmurë prej epilepsisë, burrin e kam pas sëmurë, ka pas infarkt në zemër ka ndejt dy javë, pas dy jave ka ardh prapë te ura. E merr shamponin e gjuhesh në Ibër i fërkon flokët me shampon, i shpërlan flokët e apet vjen. Hajt vera po dimrit ku me shku”, ka deklaruar Habibi.

Para se ura të bëhej kulm i tyre çifti jetonte në një kontejner prej ku u vendosën me qira në një shtëpi nga Komuna e Mitrovicës.

Çifti nuk kishte pasur fat dhe ishte larguar nga qiradhënësit.

“Lidhur me çiftin Vahide Habibi, 35-vjeçare, dhe Bashkim Cerviku, 52 vjeçar, Komuna e Mitrovicës së Jugut përmes Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale nga mjetet e veta në vitin 2019 -2020 i ka ofruar mbështetje financiare për pagesën e qirasë kësaj familjeje, mirëpo të njëjtit kanë qenë të pakujdesshëm në sjelljet dhe veprimet e tyre e që si rrjedhojë qiradhënësi ka kërkuar urgjent tërheqjen e tyre me arsyetimin e rrezikut të përfshirjes së objektit të banimit në flakë. Çifti gjithashtu është përfitues i skemës së ndihmës sociale dhe ata janë mbështetur me pako ushqimore. Ne si Qendër për Punë Sociale do të jemi në krye të detyrës dhe do t’i marrim të gjitha veprimet që na takojnë së bashku me të gjitha institucionet ndërvepruese me qëllimin që të shikohen mundësitë për një formë të qëndrueshme të strehimit për çiftin në fjalë”, ka thënë Gani Mustafa, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë të Jugut.

Selvete Sadiku, udhëheqëse e Divizionit të Ndihmave Sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thekson se në Mitrovicë mbi 2 mijë familje janë në ndihmë sociale.

“Të gjitha familjet e varfëra të cilat e konsiderojnë veten që janë të varfëra, kanë të drejt të aplikojnë në qendrat për pune sociale në komunat përkatëse, kriteret që e përcaktojnë familjen e varfër si përfitues i ndihmës sociale janë: Kategoria e parë ku janë të gjithë të varur, të paaftë për punë dhe kategoria e dytë ku një person që konsiderohet i aftë për punë por që ka një fëmijë nën moshën 15 vjeçare ose që përkujdeset për ndonjë fëmijë jetim nën moshën 15 vjeçare”, ka thënë ajo.

Gani Mustafa ka thënë se numri i rasteve sociale u rrit në pandemi, ku shumë qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës.