Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë bojkotuar edhe të premten procesin mësimor, pasi UP-ja ka refuzuar kërkesën e tyre për shtimin e dy afateve të provimeve. Studentët kanë paralajmëruar protestë për të martën, për çka rektori Arben Hajrullahu ka thirrur menjëherë konferencë, duke i ftuar ata, siç tha ai, të mos bien pre e dezinformatave
Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë braktisur mbledhjen e Komisionit Ad-hoc pas mosmarrjes parasysh të kërkesës së tyre për shtimin e afateve të provimeve në prill dhe nëntor.
Prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, Naim Jerliu, arsyetoi refuzimin e kërkesës me atë se studentët kanë vlerësim të vazhdueshëm.
“Studentët do të jenë të vlerësuar që nga momenti që regjistrohen dhe në këtë mënyrë do të implementojmë standardet. Në suaza të kësaj përpjekje kemi pasur në konsideratë të punojmë më tutje në avancimin që ky proces të bëhet sa më mirë që lidhet me vlerësimin e vazhdueshëm. Si i tillë po shpresojmë që do të avancojmë sa më shumë dhe të bëhet praktika dhe vlerësim të vazhdueshëm. Ne do të kemi shumë me shumë se një afate shtesë dhe plotësues ne do të kemi vlerësim të vazhdueshëm”, ka thënë Jerliu.
E përfaqësuesit e studentëve e cilësuan këtë si mosreflektim nga ana e menaxhmentit të UP-së ndaj kërkesave të tyre.
Kryetarja e Parlamentit Studentor, Blerta Zeqiraj, tha se bojkoti i ligjëratave do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.
“Kemi vendosur që ta bojkotojmë mbledhjen e Senatit dhe të qëndrojmë fuqishëm pas kërkesës sonë e cila ka qenë shqyrtimi e kërkesës së Parlamentit Studentor për afatet shtesë dhe zgjedhjen e problemit që e kemi parashtruar bazuar në fakte dhe argumente. Deri në ndërrimin e vendimit do të bojkotojmë çdo mbledhje deri në plotësimin e kërkesave që janë zë e 5 mijë studentëve”, ka thënë Zeqiraj.
Pos bojkotit të procesit mësimor, Parlamenti Studentor ka paralajmëruar edhe protestë për të martën.
E rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, u bëri thirrje studentëve, siç tha, të mos bien pre e dezinformatave.
“Protestën as nuk e kam thirr e as nuk mund ta anuloj por unë i ftoj studentët e Universitetit të Prishtinës që ta dinë se derën e kanë hapur se këto çështje duhet të diskutohen në mënyrë shteruese dhe me gjete zgjidhje fatlume e mos me u bo vegla të atyre që siç duket janë duke tentuar që me insturmentalizu studentët”, ka thënë Hajrullahu.
Hajrullahu ka thënë se është i gatshëm që gjerësisht të bisedojë me studentët për çdo brengë që ata kanë, por pa shkelur, siç tha, normat rregullative të UP-së.