Një komision i Universitetit të Prishtinës ka vendosur t’ua ndalojë kandidimin për dekan profesorëve që i kanë ushtruar dy mandate më herët.
Kjo, pavarësisht se Statuti i Universitetit nuk e bën një ndalesë të tillë. Neni 68 i Statutit flet vetëm për rizgjedhjen e njëpasnjëshme.
“Dekanët dhe prodekanët zgjidhen nga këshilli i njësisë akademike me shumicën absolute të votave dhe i propozohen Senatit për miratim për një periudhë katërvjeçare, nga radha e profesorëve të fakultetit përkatës, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat”, thekson pika një e këtij neni.
Pak ditë para se fakultetet të organizojnë procesin e zgjedhjes, Komisioni statutar i UP-së e ka interpretuar kësisoj Statutin teksa u është përgjigjur dy pyetjeve të Komisionit Qendror zgjedhor të UP-së.
“Dekani mund të zgjidhet vetëm për dy mandate. Sipas Komisionit statutar, rizgjedhja e dekanit nuk është domosdoshmërisht e njëpasnjëshme, por kurdo që rizgjedhja të ndodhë ajo kufizohet me vetëm një mandat plotësues”, thuhet në përgjigjet e Komisionit statutar drejtuar KQZ-së së UP-së.
Në UP ka praktika kur një profesor ka qenë 3 mandate dekan. Udhëheqja e fakultetit është bërë dy mandate të njëpasnjëshme dhe pas pauzës prej një mandati është zgjedhur sërish.
Një rast i tillë është me ish-dekanin e Fakultetit të Arteve, Hivzi Muharremi, i cili ka qenë dekan në vitet 1999-2001, 2001-2003 më pas ka pauzuar dhe është zgjedhur sërish në vitin 2005.
Zgjedhja e dekanëve të fakulteteve në UP do të bëhet të enjten, ndërkaq për mendimin e Komisionit statutar kandidatët janë njoftuar një ditë më parë nga KQZ e UP-së përmes një emaili.