Përditësuar 14:09 - Universiteti i Prishtinës ka thënë se Këshilli i Etikës është duke i trajtuar me urgjencë denoncimet për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi.
Në një komunikatë për media, UP-ja ka thënë se për të pretendimet e 27 studenteve paraqesin shqetësim të vazhdueshëm “dhe në këtë rast, menaxhmenti po e ndjek nga afër dhe me kujdes të shtuar rastin, si dhe insiston në adresimin sa më të shpejtë, të drejtë dhe meritor të të gjitha rasteve të kësaj natyre, me qëllim përfundimtar ndriçimin e së vërtetës dhe marrjen e vendimit dhe shqiptimin e masës së merituar”.
Seanca e sotme dëgjimore ka qenë e hapur për mediat edhe pse nuk është lejuar të incizojnë.
“Si për çdo rast, edhe në rastin në fjalë, Këshilli i Etikës, si organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga senati, zhvillon procedurat e përcaktuara dhe të zbatueshme ligjore, përfshirë në mënyrë të posaçme procesin e përcaktuar në rregulloren përkatëse të UP-së për procedurat dhe masat disiplinore. Për më tepër, duke pasur parasysh natyrën e pretendimit, Këshilli i Etikës megjithatë ka pranuar ta trajtojë këtë rast me urgjencë, gjë që është duke e bërë. Mbi këtë bazë, Këshilli deri më tani ka mbajtur katër seanca dëgjimore”, thuhet në deklaratën e UP-së.
UP-ja ka thënë se çdo pretendim për sjellje që bie ndesh me normat e kodit etik “do të përcillet me vëmendje të shtuar derisa të marrë epilog meritor në përputhje të plotë me procedurat dhe rregullat në fuqi, bazuar në faktet dhe provat për secilin rast”.
Studentët bllokojnë anëtarët e Këshillit të Etikës, kërkojnë vendimmarrje
Përditësuar 12:18 - Për të tretën herë, studentët kanë bllokuar daljen e anëtarëve të Këshillit të Etikës nga Universiteti i Prishtinës. Kërkesa e tyre është që të merret vendim për rastin e denoncimit për ngacmim seksual, të 27 studenteve, ndaj profesorit Xhevat Krasniqi.
Këshilli i Etikës në UP mban seancë të hapur dëgjimore për denoncimin e 27 studenteve
Për herë të parë Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës është duke mbajtur seancë dëgjimore të hapur duke ua lejuar praninë mediave, mirëpo duke ua ndaluar incizimin.
Seanca dëgjimore është duke u mbajtur për denoncimin e 27 studenteve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi.
Në seancë u dëgjuan tre studentë, dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi dhe prodekani në Fakultetin e Mjekësisë, Valon Krasniqi.
Në seancë drejtuesi i Këshillit të Etikës, Izet Morina, kërkoi nga menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë t’i verifikojë nënshkrimet si dhe të nxjerr raportet e vleresimit të studentëve ndaj profesorit.