Brenda kësaj jave, Universiteti i Prishtinës pritet të marrë vendim për hapjen e konkursit plotësues për pranimin e studentëve të rinj. Kjo do të jetë pikë e rendit të ditës në mbledhjen e radhës së Senatit.
Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Mimoza Ibrani, ka bërë të ditur se në afatin plotësues në nivelin bachelor pritet të pranohen rreth 2.500 studentë.
“Në afatin e parë të studimeve themelore për bachelor janë plotësuar 2/3 e vendeve, pra ngelen vakante një e treta e vendeve për studimet themelore bachelor, përfshirë këtu edhe kuotat për komunitetet joshumicë”, ka thënë Ibrani.
Organizimi i procesit mësimor, sipas saj, do të nisë posa të përfundojnë procedurat e regjistrimit të studentëve, raporton KOHA.
E studentët që janë pranuar në afatin e parë ka thënë se tashmë janë duke zhvilluar takime konsultative dhe duke u marrë më ndarje të orarit.
“Këto orë që humben për këta që kyçen me vonë në procesin mësimor do të kompensohen, tashmë jemi në diskutime me dekanatet e fakulteteve përkatëse për të përgatitur një plan dinamik të kompensimit të orëve të humbura në mënyrë që në fund të semestrit të mbyllet me sukses”, u shpreh Ibrani.
Përveç afatit të dytë për bachelor, Senati i UP-së pritet të marrë vendim edhe në lidhje me konkursin për studentët e nivelit master dhe të nivelit të doktoratës.
Universiteti më i madh publik javën e kaluar ka bërë të ditur se Senati ka marrë vendim që për shkak të pandemisë procesi mësimor të mbahet në formë të kombinuar (fizike ose online).
Sipas këtij vendimi, secila njësi akademike do të vendosë vetë për formën e organizimit të procesit mësimor.