Në një ceremoni të mbajtur në sallën e kinemasë “Jusuf Gërvalla”, të hënën, është shënuar dhjetë vjetori i themelimit të Universitetit Publik “Haxhi Zeka” në Pejë. Në mesin e shumë qytetarëve, studentëve, ish-punëtorëve të universitetit dhe personaliteteve nga fusha e arsimit e politikës, e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, e cila i uroi pejanët për dhjetë vjetorin e këtij universiteti.
Rektori i ri i këtij universiteti, i zgjedhur muajin e kaluar për katër vjetët e ardhshëm, Armand Krasniqi, tha se ky dhjetë vjetësh nuk ka qenë i lehtë në ndërtimin institucional dhe atë e kanë përcjellë siç shtoi ai, “vështirësi dhe ndonjë dështim aty-këtu”.
“Por kjo do të na bëjë edhe më të fortë, që në të ardhmen të punojmë edhe më shumë, që universiteti të stabilizohet, të profilizohet dhe të ndërkombëtarizohet. Prandaj, këto janë objektivat dhe synimet tona të ardhshme, natyrisht çdo herë duke shkuar në drejtim të standardeve evropiane dhe duke ofruar programe për studentë të cilët do të jenë më afër tregut”, tha ndër të tjera Krasniqi.
Krasniqi ndau në këtë ceremoni edhe mirënjohje për anëtarët e Këshillit të Përkohshëm Drejtues, për profesorët e pensionuar dhe për personalitete të tjera, të cilët kontribuuan në themelimin e universitetit “Haxhi Zeka”. Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë është themeluar në vjeshtën e vitit 2011 me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pjesë e grupit themelues të këtij universiteti ishte edhe rektori i tashëm Armand Krasniqi, i cili atë kohe ishte ushtrues detyre i rektorit të parë.
Ky universiteti është krijuar në themelet e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Biznes. E ky fakultet ka qenë pasardhës i Shkollës së Lartë Ekonomike – Komerciale, e cila ishte themeluar në vitin 1960. Në vitet e para të pasluftës “Shkolla Komerciale”, siç e quanin pejanët, u reformua sipas modelit të Deklaratës së Bolonjës dhe u riemërtua në “Shkolla e Biznesit”, e cila në vitin 2004 u kthye në Fakultet të Shkencave të Aplikuara të Biznesit. Ky fakultet e shtroi rrugën krijimit të universitet të tashëm “Haxhi Zeka”, i cili sot në përbërjen e vet ka pesë fakultete: Fakultetin e Biznesit, Fakultetin e Menaxhimit në Turizëm, Hotelieri dhe Mjedis, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Agrobiznesit dhe Fakultetin e Arteve. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të këtij universiteti, aktualisht vijojnë studimet 11 mijë e 254 studentë. Nga viti 2012 deri në vitin 2019 kanë përfunduar studimet 4.455 studentë.