Në korrikun e vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës ka kaluar Ligjin i cili do të rregullonte çmimin e barnave për blerjet publike, por edhe tregun privat. Ligji parashihte që për katër muaj të krijohej lista me çmimet obliguese. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende e as nuk dihet kur do të finalizohet
Gati 7 muaj kanë kaluar prej kur Ligji për Çmimin e Produkteve Mjekësore ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, por zbatimi i tij nuk ka filluar ende. Me këtë ligj parashihet që të bëhet unifikimi i çmimit të barnave në tregun privat, por me të do të ketë edhe çmime standarde edhe për produktet që blihen përmes prokurimit për institucionet shëndetësore publike.
Ligji ka hyrë në fuqi në mesin e gushtit të vitit të kaluar e me të ka qenë e përcaktuar që deri në gjysmën e dhjetorit të finalizohet Lista e Barnave me çmimet e reja.
“Lista e çmimeve të produkteve medicinale për herë të parë publikohet katër (4) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në Ligjin për Çmimin e Produkteve Mjekësore.
Pavarësisht se ka kaluar dyfishi i kësaj kohe, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka arritur të fillojë zbatimin e ligjit.
Për pasojë, tregu farmaceutik është ende plotësisht i parregulluar sa i përket çmimit të barnave.
Në Ministrinë e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim kanë deklaruar që janë në pritje të një interpretimi në lidhje me përbërjen e komisionit që do të vendosë për çmimet e barnave, por nuk kanë folur se kur kjo listë do të bëhet gati.
“Ju informojmë se Komisioni ka filluar punën më datë 22.1.24 dhe është në pritje të një interpretimi ligjor rreth përbërjes se komisionit, ku dy nga anëtarët e grupit janë në pritje të përgjigjes nga autoriteti kompetent që zbaton Ligjin nr. 06/L -011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Në momentin që kjo situatë tejkalohet, Komisioni është i gatshëm të punojë intensivisht në mënyrë që Lista e çmimeve të produkteve medicinale të publikohet sa më shpejt!”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
E në korrikun e vitit të kaluar, ditën që deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për këtë ligj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, premtoi që zbatimi i plotë do të bëhej pa vonesa.
“Me këtë ligj nisim një epokë të re për ta mbrojtur secilin prej jush nga abuzimet me çmimet e barnave. Na pret një punë e madhe deri te jetësimi i plotë i Ligjit të ri. Por jemi bërë gati që ta realizojmë pa asnjë vonesë. Kjo nismë ligjore do të vlejë për operatorët me shumicë, por edhe për barnatoret private. Po ashtu, ky ligj do t’i përcaktojë çmimet e barnave edhe në tenderët publikë”, pati thënë Vitia.
Pothuajse identik me këtë ligj në vitin 2019 ishte nxjerrë një udhëzim administrativ, por që nuk u zbatua asnjëherë.
E gati asnjë vend në Evropë nuk e ka të parregulluar çështjen e çmimit të barnave.