Në mungesë të perspektivës dhe kushteve të rënda ekonomike, vit pas viti po shënohet rënie e lindjeve të foshnjave në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Përveç nënave nga Komuna e Pejës, në këtë institucion lindin edhe ato nga Komuna e Istogut, Klinës, Deçanit dhe nga disa vendbanime të Komunës së Skenderajt e Malishevës.
Prej vitit 2000 kur në këtë spital kanë lindur 3 mijë e 389 foshnja, në secilin vit pasues ka shkuar duke rënë numri i lindjeve deri në 1 mijë e 709 foshnja sa kanë lindur vitin e kaluar.
“Kur ta marrim tash numrin e lindjeve për nga numri i komunave, po shihet se në çdo komunë kemi një rënie, që kjo rënie po përziston çdo vit. Pra, na jemi në rënie të natalitetit”, ka deklaruar Samoni Loxha, shef i repartit Gjinekologjik-Obstetrikë.
Për rënien e numrit të lindjeve, përveç ikjes së të rinjve jashtë vendit, sipas Loxhës, kanë ndikuar edhe kushtet e vështira ekonomike, të cilat ua kanë pamundësuar familjeve të reja lindjen e më shumë fëmijëve se një apo dy.
Mirëpo, 30-vjeçarja Besarta Qerreti nga fshati Kryshec i Pejës, e cila të hënën ka lindur foshnjën e saj të tretë, konsideron se pavarësisht vështirësive ekonomike, çiftet duhet të lindin më shumë fëmijë.
“Përderisa shumica jemi pa punë, atëherë pse mos me lindë, me qenë fëmija pse jo. Me një jo mirë. Një e dy pak”, ka thënë Qerreti.
Shoqëria civile në Pejë ngrit shqetësimet e saj për mungesën e përkrahjes dhe stimulimit të çifteve të reja nga shteti.
“Duhet që shteti me vepru ma shpejtë në stimulimin e popullit, sidomos në stimulimin e çifteve të reja për mirëqenien e tyre, që ata ta kenë më të lehtë pastaj të planifikojnë më shumë fëmijë”, ka deklaruar Veton Mujaj, drejtor i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë.
Që nga paslufta e deri në fund të vitit të kaluar kanë lindur 51 mijë e 600 foshnja në këtë spital, por që krahasuar me 20 vjetët e paraluftës, janë 17 mijë foshnja të lindura më pak.