Arbëri

Ulen pagat e Qeverisë së Kosovës

Albin Kurti ka vendosur të mos e shijojë pagën me rritje të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kabineti qeveritar ka shfuqizuar vendimin e rritjes së pagave 100 për qind, të dhjetorit të 2017-s.

Tani, kryeministri Kurti do të marrë pagë 1 mijë e 450 euro, e jo 2 mijë e 950 sa kishte marrë Haradinaj, raporton KTV.

Kurti ka thënë se shfuqizimi i vendimit nuk do të ketë efekt në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Gjithashtu, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndalimin e beneficioneve financiare për ish-zëvendëskryeministrat, ish-ministrat, ish-zëvendësministrat edhe pas përfundimit të mandatit.

Qeveria ka miratuar shkarkimin e koordinatorëve nacionalë, të emëruar në periudha të ndryshme nga qeveria e kaluar.

Në këto poste të shpikura nga qeveria paraprake ishin emëruar: Rexhep Hoti, Avdullah Hasani, Besnik Tahiri, Fatos Makolli dhe Mendim Rugova.

Ekzekutivi ka ndarë 297 mijë euro për Komunën e Pejës dhe 136 mijë euro për atë të Istogut, pas dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme të javës së kaluar.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që të shtyhet për vitin e ardhshëm aplikimi për t’u anëtarësuar Kosova në Interpol.

Sipas Konjufcës, gjasat janë të vogla që gjatë 2020-s të arrihet anëtarësimi i vendit në këtë organizatë.

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Kurti nuk është paraqitur para gazetarëve, siç rëndom ndodhte me paraardhësin e tij, Ramush Haradinaj.