Që nga 1 shkurti, sipas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, në Kosovë do të qarkullojë vetëm valuta euro për kryerjen e pagesave. Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës sqarime, e madje shtyrje të këtij vendimi për shkak se ai nënkupton ndalimin e qarkullimit të dinarit, valutë që është përdorur nga serbët në Kosovë.
Sylë Ukshini, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri, ka thënë se vendimi është i ligjshëm dhe se diskutimi mbi të është absurd.
Më absurde sipas Ukshinit është nxitimi i ambasadorëve që të bëjnë apel për ta ndaluar vendimin.
“Në shekullin 21 nuk ka kuptim të diskutohet në këto përmasa një vendim që është i pavarur dhe na vjen në 25 vjetorin e dëbimit të dinarit jugosllav. Të diskutohet 16 vjet pas pavarësisë se a i pëlqen Beogradit një vendim i tillë apo jo, më duket absurde. Absurde më duket edhe nxitimi i ambasadorëve të huaj për të shkuar dhe për të bërë apel tek një institucion që me Kushtetutë është plotësisht i pavarur. Vendimi nuk është politik, dhe dinari nuk tregon që mund ta ketë vetëm serbi, mund ta ketë shqiptari, boshnjaku, kroati”, ka thënë ai në "Konfront".
Ukshini ka potencuar se BQK-ja s’ka arsye të tërhiqet nga vendimi.
“Këtu nuk ka të bëjë, pavarësisht se ai zëri i viktimizimit që është tradicional në politikën serbe që është për të bërë mjegull dhe për ta deformuar dialogun, vendimi është i drejtë, i ligjshëm. Dhe nuk ka asnjë arsye që BQK-ja të tërhiqet nga ky vendim”, ka përfunduar ai.