Arbëri

Ukaj: Lajçaku e ka futur dialogun në qorrsokak, duhet presion ndërkombëtar

Fidan Ukaj - 60 Minuta ne KTV

Analisti politik, Fidan Ukaj, ka deklaruar se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka futur në procesin e dialogut në qorrsokak, duke u shprehur se procesi ka ngecur.

Ukaj është shprehur të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se mungesa e presionit ndërkombëtar për t’i shtyrë palët t’i zbatojnë marrëveshjet e dakorduara “e ka bllokuar procesin e dialogut”.

“Mungesa e një presioni ndërkombëtar mbi palët që t’i rikthejë në procesin dialogut, me presion për zbatim të marrëveshjeve, e ka futur dialogun në qorrsokak. Këtë e ka ndihmuar edhe Lajçak, që ka futur pika që s’janë pjesë e dakordimit. Si është çështja e dinarit serb ose e hapjes së urës së Ibrit. Ai i ka bërë dëme të mëdha procesit dhe po shohim ngërç, por mbetet të shihet dinamika e Bashkimit Evropian në 20225-n”, ka deklaruar Ukaj.

Ai ka potencuar se palët duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dakorduara, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga pala e Kosovës. Sipas Ukajt, Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe ai “do të kalojë nëpërmjet filtrit të Gjykatës Kushtetuese”.

Ukaj është shprehur se mbetet të shihet në çfarë modeli do të bazohet Kosova për themelimin e tij.
Për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, Ukaj ka shtuar se kryeministri Albin Kurti po i zbaton disa, por “kjo po shihet me nguti”.

“Kurti po i zbaton disa dakordime, por fillimi i zbatimit të tyre, sipas bashkësisë ndërkombëtare, shihet si e ngushmë dhe duhet koordinim. Faktori ndërkombëtar po i thërret palët t’i zbatojnë marrëveshjet, por po kërkojnë koordinim dhe mosnguti në veprimet e institucioneve në terren”, ka thënë ai.

Politologu ka shtuar se çështja e Urës së Ibrit do të mbyllet me hapjen e saj.

“...Do t’i vijë dita edhe hapjes së urës. Do të binden autoritetet e sigurisë se janë plotësuar kushtet dhe betonet do të largohen e do të hapet ura”, ka thënë ai.