Arbëri

Ujkani: Kosova s’ka më nevojë për kompromise, të zbatohen marrëveshjet

Drejtori i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka deklaruar se në raportet me Serbinë, Kosova nuk më çfarë të bëjë kompromise, duke shtuar se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.

Ai ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se Kosova duhet të reflektojë dhe të ketë më tepër koordinim me shtetet aleate, pasi sipas tij, nuk ka opsion tjetër, “për dallim të Serbisë që nëse e lë Perëndimin ,e ka Kinën apo Rusinë”.

“Ndaj Kosovës zbatohen sanksione që implikojnë kufizime të caktuara dhe e vendosin Kosovën në rrethana të vështira. Duhet të shikojmë narracionin e krijuar dhe pse ka ardhur gjendja këtu. Kemi të bëjmë me një situatë ndryshe. Kosova nga ’99-ta, kur ka pasur administratë ndërkombëtare, s’ka arritur fatkeqësisht të shtrijë në mënyrë efektive pushtetin në veri. Ka qenë pikëpyetje se deri kur do të zgjasë kjo gjendje”, ka thënë Ujkani të enjten.

Ai ka shtuar se në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbia e ka pozicionin më të favorshëm “për shkak të se s’ka probleme me kufij”.

“...Të jesh korrekt juridikisht nuk do të thotë që edhe politikisht të jetë e njëjtë. Duhet të implementohen ato që janë arritur dhe të ecim para. Edhe hapat në veri janë pjesë e Marrëveshjes. Në një shtet është e pamundur që të jenë dy sisteme paralele dhe kjo s’duhet të lejohet...Është mirë që kemi partnerë të tillë strategjikë, duhet t’i forcojmë ato lidhje dhe t’i korrigjojmë nëse ka gabime”, ka shtuar drejtori i Këshillit të Investitorëve Evropianë.

Ai ka potencuar tutje se në raportet brenda CEFTA-s, Kosova ka qenë e diskriminuar, e kjo tha se është si shkak i neglizhencës pasi “s’kemi arritur t’i identifikojmë barrierat”.

Ujkani tutje ka deklaruar se koordinimi me vendet aleate nuk do të nënkuptonte kompromise të reja.

“Koordinimi nuk nënkupton kompromis, të kemi koordinim të shtuar e të mos bëjmë kompromise. S’kemi çka flasim për kompromise. Ekziston marrëveshja, e kemi edhe atë të 2022-s. Ajo marrëveshje parasheh gjithçka që ka qenë e mundur dhe s’mund të ketë kompromis”, është shprehur Ujkani.