Arbëri

Ujërat e zeza përfshijnë një kompleks banesor në qendër të Prishtinës, ikin banorët

Po bëhen më shumë se një muaj që bodrumet e këtij kompleksi banesor në qendër të Prishtinës janë të mbushura me ujëra të zeza.

Madje në njërin nga bodrumet niveli i ujit ka arritur deri në orën e energjisë elektrike, raporton KTV.

Që ndërtesa të mos marrë flakë, ata po u duhet të përkujdesen vetë për pastrim.

Sipas banorëve, ky problem ka ardhur nga sistemi i vjetruar, por edhe nga pakujdesia e banorëve që janë të kyçur në po të njëjtin sistem.

Nga rreziku i krijimit të ndonjë sëmundjeje dhe nga kundërmimi, banorët tregojnë se një pjesë e tyre tashmë janë larguar nga aty.

Kërkesë për intervenim thonë se kanë bërë në komunë, por këta të fundit përgjegjësinë ia hedhin Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Në kompani, drejtori teknik, Sokol Xhafa përmes telefonit, ka thënë se ky problem nuk mund të zgjidhet pa ndihmën e komunës, pasi ka të bëjë me dëmtim të gypave.

“Gypi është shtypur dhe me këtë është e pamundur të hapet. Është obligim i organeve komunale investimi në rrjete të kanalizimit, sepse ne bëjmë vetëm mirëmbajtjen nga aspekti i pastrimit”, ka thënë Xhafa për KTV-në.