Arbëri

Udhëzimi Administrativ parasheh që kryetarët mund të largohen me votën e 50 për qind të votuesve

Foto: Koha

Është finalizuar Udhëzimi Administrativ, i cili u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri. Por, bazuar në të, kryetarëve aktualë mund t’u ndërpritet mandati vetëm nëse pas peticionit për largimin e tyre deklarohen së paku 50 për qind e trupës votuese të komunës përkatëse. Në opozitë kërkuan që veprimet të ndërmerren në koordinim me SHBA-në dhe BE-në.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar Udhëzimin Administrativ me të cilin u mundësohet qytetarëve që përmes peticionit të largojnë kryetarët e komunave.

Por, së paku gjysma e votuesve të komunës duhet të jenë pro largimit, në mënyrë që mandati i kryetarit të përfundojë para kohe, theksohet në dokumentin final, që Qeveria e ka hartuar në kuadër të masave për shtensionim të situatës në veriun e banuar kryesisht me serbë.

“Nëse shumica e votueseve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votueseve, pesëdhjetë për qind plus 1 votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni”, thuhet në Udhëzimin Administrativ.

Udhëzimi Administrativ parasheh që inicimi i shkarkimit të kryetarit të komunës duhet bërë me peticion nga së paku 20 për qind të votuesve e më pas votimi për largim organizohet nga KQZ-ja.

Sipas dokumentit, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Megjithatë, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe se një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka thënë se ky udhëzim administrativ jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejte të garantuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

“Pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Për këtë çështje, marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ, ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtjesore janë adresuar”, tha Krasniqi.

Pas publikimit të Udhëzimit Administrativ zyrtarë opozitarë kërkuan koordinim me SHBA-në dhe BE-në për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

“Si Parti Demokratike e Kosovës kemi një korrektësi dhe bashkëpunim të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që të gjejmë një zgjidhje, për faktin se i kemi dy kryetarë aty. Në anën tjetër, kur i sheh qasjen dhe hapat e kësaj qeverie në këtë drejtim lënë për të dëshiruar”, tha Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Katër komunat e veriut drejtohen nga kryetarë shqiptarë, meqë zgjedhjet e fundit u bojkotuan nga serbët. Por, pasi me asistencë të policisë ata hynë në zyrë, në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan u organizuan edhe protesta të dhunshme, në të cilat u lënduan shumë pjesëtarë të KFOR-it, Policisë e gazetarë.

Ndërkombëtarët kërkuan të ndërmerren masa për uljen e tensioneve, përfshirë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut.