Pas dështimit të konkursit të parë për kryeshef, Korporata Energjetike e Kosovës nuk e ka rishpallur atë, e për pasojë vazhdon të udhëhiqet nga ushtrues detyre. Në shoqërinë civile thanë se mosveprimi përbën shkelje të Ligjit për zyrtarë publikë, dhe numëruan pasojat e ndërmarrjes nga kjo formë menaxhimi
Ka një vit e gjysmë që Korporata Energjetike e Kosovës udhëhiqet nga zëvendësuesi i kryeshefit, term që i referohet ushtruesit të detyrës.
Pas dështimit të konkursit të parë në qershor të këtij viti, KEK-u nuk ka rishpallur më atë dhe zyrtarë të saj nuk treguan as kohën se kur do të hapet konkursi i ri.
Në shoqërinë civile thanë se funksionimi i kësaj ndërmarrjeje me ushtrues detyre të kryeshefit dhe mosrishpallja e konkursit përbën shkelje të ligjit për zyrtarë publikë, i cili përcakton periudhën prej një viti si maksimum për funksionimin me ushtrues detyre.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, numëroi pasojat e kësaj situate.
“Çdo institucion publik, çdo agjenci e pavarur, nëse udhëheqësi i saj kryesor administrativ është mbi një vit ushtrues detyre, kjo nënkupton që i njëjti nuk ka të drejtë të nënshkruajë asnjë dokument, as asnjë proces të rekrutimit, tender apo çështje të tjera dhe derisa të zgjidhet udhëheqësi i ri në bazë të konkursit të bazuar në meritokraci”, ka thënë Miftaraj.
E drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, tha se funksionimi i KEK-ut me ushtrues detyre ndikon në performancë.
“Funksionimi i Ndërmarrjeve Publike pa kryeshef ekzekutiv me mandat të plotë apo me një ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv ndikon në performancën e ndërmarrjeve, veçmas të atyre të mëdha sikurse që është Korporata Energjetike e Kosovës, e cila qarkullon miliona euro gjatë një viti dhe në të cilën pritjet janë që një kryeshef ekzekutiv përveç punëve ditore, të zbatojë edhe një strategji afatmesme apo afatgjate me reforma dhe masa që synojnë të përmirësojnë pozicionimin e ndërmarrjes”, ka thënë Hasaj.
KEK-u udhëhiqet me ushtrues detyre, pasi 19 prillit të vitit 2023, kur është arrestuar kryeshefi Nagip Krasniqi, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi. Disa ditë pas arrestimit, KEK-u e suspendoi Krasniqin nga detyra, ndërkaq një vit pas e shkarkoi.
Për gati 1 vit detyrën e kryeshefit e ushtroi Përparim Kabashi, ndërsa në shkurt të këtij viti, ushtrues detyre i ri u emërua Bekir Gërguri.