Arbëri

U.D. të sekretarit të MMPHI-së, Izedin Bytyqi, i caktohet një muaj arrest shtëpiak

Një muaj arrest shtëpiak i është caktuar nga Themelorja në Prishtinë ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministri të Mjedisit, Izedin Bytyqi, që u arrestua të martën në zyrë të Ministrisë. Për të dyshuarin tjetër, Prokuroria nuk ka ofruar kurrfarë informacionesh nëse e ka arrestuar. Kryeministri Albin Kurti, i cili foli për këtë rast, tha se njëri nga të arrestuarit ka shërbyer në institucione qe 20 vjet

Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj arrest shtëpiak ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministri të Mjedisit, Izedin Bytyqi.

Ai u arrestua gjatë një aksioni të Policisë në zyra të Ministrisë dhe dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e armëmbajtje pa leje.

Pos tij, i dyshuar për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë së të ardhurave”, është edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi.

Prokuroria Speciale nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse e kanë identifikuar vendndodhjen e Hafizit apo nëse i njëjti ka pasur kontakt për paraqitje te ta.

Në Prokurori nuk kanë dhënë detaje se as për çfarë rastesh keqpërdorimi bëhet fjalë dhe në cilat vite.
Kur kryeministri Albin Kurti u pyet për këtë skandal korrupsioni në Ministrinë që drejton, vartësi i tij Liburn Aliu tha se ministri aty është vetëm shërbyes.

Si relativizim, theksoi se njëri nga të arrestuar ka shërbyer pothuajse gjatë të gjitha qeverisjeve.
“Personi i parë i arrestuar është një zyrtar, i cili punon në institucionet e Kosovës që prej dy dekadash. Unë s’kam informacion se për çfarë janë hetuar, arrestuar dhe përndjekur. Nuk e di këtë gjë. Besoj se gjithçka do të sqarohet pasi drejtësia do të veprojë. Por nuk mundem – në kushtet kur mungon informacioni, përveç imazheve që shfaqen në mediet tona – të jap gjykime përmbajtjesore”, tha Kurti.

Por, analistë politikë kritikojnë Kurtin për mosdistancim dhe ikje nga përgjegjësia, çdo herë kur ka raste të tilla korrupsioni.

“Sa herë që plas ndonjë skandal në sektorët e tyre, jemi mësuar ta shohim kryeministrin të sulmojnë gjykatat, mediet, prokurorinë... duke i parë ata vetëm si zgjatime të asaj që ai i quan regjim i vjetër e i cili në fakt po shërben si kokë turku, për t’ia veshur të gjitha mëkatet që ndodhin në Qeverinë e tij dhe nën tutelën që ai e drejton”, tha analisti Shkodran Ramadani.

Gjatë bastisjes së Prokurorisë të martën, janë sekuestruar një varg provash në mesin e tyre edhe një revole e Bytyqit.

Prokuroria ka lëshuar urdhër të përkohshëm ndalimi edhe për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe në Fushë-Kosovë.

Në deklarim të pasurisë, i arrestuari Bytyqi ka në pronësi 4 banesa, ndërkaq Hafizi që ende nuk është kapur, ka në pronësi një banesë.