Arbëri

U ruhen vendet gjyqtarëve e prokurorëve serbë të dorëhequr

Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor ende nuk i kanë miratuar dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të dorëhequr nëntorin e vjetëm. KGJK-ja nuk tregoi arsyen e mungesës së vendimit, e në KPK thanë se po e shqyrtojnë secilin rast veç e veç. Njohës të drejtësisë thanë se sjellja e të dyja këshillave është shqetësuese.

Janë bërë gati nëntë muaj prej kur prokurorë dhe gjyqtarë serbë braktisën sistemin kosovar të drejtësisë dhe atyre ende nuk u janë miratuar dorëheqjet.

Nëpërmjet kësaj, atyre po u ruhen vendet nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.

Në KPK justifikuan mungesën e vendimit, duke thënë se po analizohet secila dorëheqje.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës është në proces të analizimit dhe trajtimit të të gjitha dorëheqjeve të ofruara dhe pas analizimit dhe trajtimit të secilës veç e veç, do të marrë një vendim përkitazi me këto dorëheqje”, i ka thënë KOHËS Bedri Gashi, ushtrues detyre i shefit të Zyrës Për Komunikim Publik në KPK.

Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës janë dorëhequr gjithsej 32 serbë, 10 prej të cilëve janë prokurorë e 22 zyrtarë të stafit administrativ.

Në këtë institucion nuk treguan se kur do të vendosin mbi pranimin ose jo të dorëheqjeve, e përgjigje për këtë nuk dhanë as në Këshillin Gjyqësor. KGJK-ja nuk arsyetoi as mungesën e vendimmarrjes së deritashme.

Fundvitin e shkuar sistemin gjyqësor e kanë braktisur gjithsej 144 serbë, prej të cilëve 25 gjyqtarë dhe 119 të punësuar të tjerë.

Njohës të drejtësisë kritikuan të dyja këshillat.

Juristi Yll Zekaj thotë se KGJK-ja dhe KPK-ja po tregojnë se janë në pritje të një zgjidhjeje politike.

“Janë këto dy institucione që duhet të shohin deri kur duhet ta shtyjnë këtë status-quo pa pranimin e këtyre dorëheqjeve dhe pastaj të fillojnë me rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, e cila unë besoj fuqishëm se do të jetë një problem i shtuar nëse nuk ka një marrëveshje politike paraprake nga ana e Brukselit”, ka thënë Zekaj.

E Renata Bajrami nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se përbën shqetësim mosdhënia e një epilogu për këto raste.

“Mirëfilli, KGJK-ja dhe KPK-ja deri më tani do të duhej t’i kishin shqyrtuar këto dorëheqje dhe të merrnin një vendim në mënyrë që të plotësoheshin pozitat vakante e t’i kontribuonin në këtë mënyrë në funksionalitetin dhe efikasitetin e sistemit”, ka thënë Bajrami.

Pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e sistemit të drejtësisë në veri, KGJK-ja dhe KPK-ja kanë bërë një numër transferimesh të përkohshme të gjyqtarëve e prokurorëve nga rajonet e tjera në atë të Mitrovicës.

Në KPK treguan veprimet që janë ndërmarrë.

“Për të menaxhuar më tej këtë situatë të pafavorshme dhe për të mbuluar nevojat nga zbrazëtirat e krijuara në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës ju bëjmë me dije se KPK-ja fillimisht ka marrë vendim për transferimin e përkohshëm të tre (3) prokurorëve nga prokuroritë e tjera në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe ka bërë shpalljen e brendshme për transferimin e përhershëm të dy (2) prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie, kurse një numër të konsiderueshëm i lëndëve të rasteve të ndryshme që ishin në kompetencë të kësaj prokurorie janë shpërndarë nëpër prokuroritë e tjera të vendit dhe janë duke u trajtuar nga prokurorët e prokurorive të ndryshme”, ka thënë Bedri Gashi.

Në Ministrinë e Drejtësisë nuk komentuan mungesën e deritashme të konkurseve për pozitat e lëna bosh nga gjyqtarë e prokurorë serbë. Kjo, pavarësisht se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 9 nëntor të vitit të kaluar tha se dorëheqjet e prokurorëve, gjyqtarëve serbë dhe stafit mbështetës në veri të Kosovës, duhet të pranohen dhe të njëjtit nuk duhet të kthehen më në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Sipas Ligjit për gjykata, me dorëheqjen eventuale të një gjykatësi apo prokurori, ligjërisht përfundon mandati i tij.

Punonjësit serbë të institucioneve të drejtësisë, në fillim të nëntorit iu përgjigjën pozitivisht vendimit të Listës Serbe për t’i braktisur institucionet lokale e qendrore të Kosovës, në shenjë kundërshtie ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës që lidheshin me shtrirjen e sovranitetit në veri. Siç patën thënë nga Lista Serbe, vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen “derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim (të targave të automjeteve nga ato ilegale të Serbisë në targa RKS v.j.), derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe…”.

Jo të gjitha largimet ishin të vullnetshme. Një punonjëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë i ka thënë REL-it se është detyruar të japë dorëheqje pas 20 vjetësh shërbimi, pasi më 5 nëntor në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, është vendosur që pjesëtarët e komunitetit serb të dorëhiqen në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

“Askush nuk ka asnjë plan se si të rregullohet kjo. Vetëm thanë ‘ejani nënshkruani dorëheqjet’, të cilat ne u desh t’i firmosnim. Pavarësisht se ata thonë se kjo ka qenë vullnetarisht, nuk ka qenë fare vullnetarisht”, ka dëshmuar punonjësja e Gjykatës, e cila pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

Ndryshe nga sistemi i drejtësisë, autoritetet kanë ndërmarrë veprime për t’i zëvendësuar të punësuarit dhe të zgjedhurit e dorëhequr.

Kësisoj, zgjedhje për kryetarë të komunave janë mbajtur në katër komunat në veri, e në dy prej tyre edhe zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Meqë procesi i bojkotua nga serbët, në këto komuna me shumicë serbe gara u fitua nga tre shqiptarë dhe një boshnjak. Vendosja e tyre në zyra është përcjellë edhe me protesta të dhunshme.

I menjëhershëm ka qenë edhe procesi i zëvendësimit të policëve. Që në fillimvit është shpallur konkursi për policë nga radhët e komuniteteve dhe këtë javë kanë nisur punën 72 policë, nga ta 46 serbë. Veçmas serbët i janë nënshtruar një fushate linçuese e kërcënuese, kundër së cilës kanë reaguar përfaqësuesit më të lartë shtetërorë dhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë. Një konkurs i ri për policët është mbyllur po këtë javë.