Arbëri

Turqisë nuk i është ngritur shqetësimi për abuzim me paratë për shërim jashtë vendit

Fondi i sigurimeve shëndetësore

Vetëm tri ditë pasi KOHA ka përfunduar publikimin e hulumtimit në lidhje me keqpërdorimet me programin për Trajtim Shëndetësor Jashtë Vendit, në Kosovë për vizitë ka ardhur ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

Mbi 70 për qind e parave të Fondit përfundojnë në spitalet private në Turqi. Ndonëse ka dyshime të forta se është abuzuar me faturat për pacientët e trajtuar në spitalet turke, çështja nuk është ngritur para ministrit Çavusoglu, gjatë takimeve që me të kanë pasur presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë konfirmuan se çështja e aferës nuk ka qenë temë diskutimi.

“Në takimin me ministrin e Jashtëm të Turqisë, ku kane qenë edhe disa ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës, janë diskutuar çështje të ndryshme, por jo në mënyrë specifike për çështjen e TJV (Trajtimit Jashtë Vendit), sepse kjo temë është trajtuar dhe do të trajtohet me Ministrinë, përkatësisht ministrin e dikasterit përkatës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

E, një veprim karshi Fondit të Sigurimit Shëndetësor e ka ndërmarrë ekzekutivi. 15 muaj pasi është votuar Qeveria e re, të mërkurën i është hapur rrugë emërimit të bordit të Fondit, nëpërmjet shfuqizimit të vendimit të Qeverisë Hoti.

“Për shkak të ndryshimit të rrethanave ligjore dhe faktike që kanë çuar te pamundësia e funksionimit të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore propozoj që në rend të ditës të përfshihet propozimi që të shfuqizohet vendimi numër 12/26 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i datës 21 gusht 2020 i ndryshuar 24.12.2020”, ka kërkuar Latifi në mbledhjen e Qeverisë.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka mbetur pa bord funksional që nga dita e votimit të Qeverise Kurti, meqë një numër anëtarësh të tij ishin ministra në Qeverinë paraprake. Megjithatë, kryeministri është lavdëruar që këtë çështje e ka futur në rend të ditës pas një kohe kaq të gjatë.

“Nuk paska bërë kurrsesi pa këtë ndryshim. Pra me këtë vendim ne i hapim rrugë më pastaj një përbërjeje të re në Bordin e fondit të sigurimeve shëndetësore”, u shpreh Kurti.

Prej javësh, KOHA ka raportuar për keqpërdorime të shumta që lidhen me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Hulumtimi disamujor ka ngritur dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që s’gjejnë shërim në Kosovë.