Edhe më tutje, turistët që dëshirojnë t’i vizitojnë bukuritë e Deçanit, nuk kanë ku të drejtohen në ndonjë qendër informuese për turizëm, ani pse ka kaluar më shumë se një vit prej kur është përfunduar objekti i qendrës informative.
Ky projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, me vlerë rreth 250 mijë euro, edhe më tutje vazhdon të jetë jashtë funksionit, raporton KTV.
Drejtuesit e Komunës thonë se mungesa e mjeteve për staf adekuat ka bërë që qendra të mos fillojë ende punën e saj.
Fitore Shala, Drejtoreshë e Turizmit në Deçan, thotë se janë duke punuar që kjo qendër të hapet sa më shpejt, ndonëse nuk kanë dhënë afat të saktë se kur.
Ajo thekson se drejtoria e Turizmit në këtë komunë ka përgatitur disa broshura, të cilat do t’ua lehtësojnë turistëve vizitat në Deçan.
Mosfunksionalizimi i qendrës së turistëve, po kritikohet nga shoqëria civile në Deçan.
Madje, arsyetimet e komunës se nuk kanë mundësi financiare për të vënë në funksion këtë qendër, po i konsiderojnë qesharake.
Adem Lushaj nga Shoqëria Civile në Deçan, thotë se do të bëjnë presion si shoqërisë civile, në mënyrë që kjo qendër të vihet në funksion.