Arbëri

Turbullira në Badovc lë pa ujë disa lagje në kryeqytet

Niveli i lartë i turbullirës në liqenin e Badovcit dhe pamundësia e Ujësjellësit “Prishtina” për trajtim me kapacitet maksimal ka bërë që disa lagje në Prishtinë të mbesin pa furnizim me ujë të pijes, që nga e premtja në mbrëmje.

Siç ka njoftuar zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku, ekipet teknike janë në terren dhe në fabrikë duke u munduar të bëjnë zgjidhje alternative për lagjet që furnizohen nga Badovci.

Gjendja pritet të mbesë e tillë edhe për tre ditë, ka paralajmëruar ajo, duke shtuar se “kjo megjithatë nuk varet nga ne”.

Të premten, Ujësjellësi kishte njoftuar se është detyruar të zvogëlojë prodhimin/trajtimin e ujit në fabrikën e trajtimit të ujit në Badovc.

Niveli i liqenit të Badovcit, pas reshjeve të fundit, është ngritur për tri metra.

Lagjet e prekura nga mungesa e ujit janë Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Matiqani, Bregu i Diellit, pastaj pikat e tjera të kryeqytetit si: Tophanja, Dardania, Ulpiana.

Janë prekur edhe qyteti i Fushë-Kosovës dhe Obiliqi.

“Niveli i lartë i turbullirës e bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë”, thuhej në njoftim.