Pika për tërheqjen e 30 për qind të Trustit ka ngjallur debat mes pushtetit dhe opozitës. Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën se në një gjendje të tillë Kosovën e kanë sjellë vetë partitë opozita.
Propozuesi i kësaj iniciative ligjore, Bekim Haxhiu, ka thënë se në mbështetje të nenit 65 të Kushtetutës kanë proceduar këtë nismë ligjore në Kuvend më 9 mars.
Sipas tij, kjo iniciativë ka ardhur për shkak të gjendjes ekonomike në të cilën po kalojnë qytetarët, në këtë situatë me krizën ekonomike dhe rritjen e çmimeve.
“Qytetarët që nga viti 2020 janë duke u përballur me kriza. Ky ligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të trustit t’u krijohet baza ligjore për tërheqje deri në 30 për qind të kursimeve pensionale. Personat që kanë më pak se 10 mijë euro mund të tërheqin deri 30 për qind, me këtë projektligj do t’u mundësohet tërheqja atyre që kanë nevojë, ndërsa qeverinë e ftojmë që të fokusohet te kategoritë e rrezikuara. Fondi ka thënë se është i gatshëm ta zbatojë këtë projektligj nëse Kuvendi e miraton. Nuk do të lëshohem në deklarata politike është kërkesë e qytetarëve”, ka thënë ai.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kriza energjetike dhe implikimet për tregjet ndërkombëtare nga lufta i kanë shtrirë ndikimet edhe në Kosovë.
Sipas tij, ndër ndikimet është rritja e çmimeve edhe te produktet bazike.
“Qeveria i është përgjigjur këtyre ndryshime për të ndihmuar qytetarët nga kjo rritje e kostos së jetës. Te rasti i energjisë kemi vendosur që importin shtesë ta mbulojmë përmes subvencionimit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se munden që një problem të tashmes ta zgjidhin me rrënimin e së ardhmes.
“Ne e kemi të qartë që mjetet në trust janë të qytetarëve por vetë natyra e tyre nënkupton që ato nuk vihen në institucion të interesave politike por të nevojave të pensionistëve”, ka thënë ai. “Nisma për tërheqjen e trustit nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i PDK-së i cili në një deklarim për media pas opinionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar kishte thënë po të donte FMN-ja do të na jepte mjete tua jepnim qytetarëve dhe të mos e prekim Trustin. FMN-ja ka mjete të mjaftueshme. Ja pra kush po merret me financa e makroekonomi. Janë të njëjtë të cilët na kanë sjellë në këtë gjendje dhe po duan edhe ato pak të mira që i kemi arritur të na i rrënojnë. Të gjitha subjektet e dinë sa e rrezikshëm është prekja e trustit. Nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë edhe mbështetjen e listës serbe”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shumica që kanë pak përfitojnë asapk ndërkaq ajo pakicë që ka shumë përfiton.
“Unë nuk kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence, nismëtari ka doktoratë ka PHD. Nevojitet doktoraturë për një fizioterapistë që ta sjellë një propozim të tillë në Kuvend”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se kjo nuk është ndihmë për popullin por është qasje populiste.
“A din kush flet veç për çmime pa fol për strukturën e ekonomike, Le Peni veç Le Peni flet në fushatë kështu. Halli im nuk është që kalon ky projektligj se e di qe nuk kalon, halli është që po diskutohet”, ka thënë ai..
Deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se Kurti nuk duhet t’iu bëjë presion deputetëve që të mos e votojnë këtë projektligj.
“Nëse vazhdon kështu me qëndruar në zyre edhe mos me i dëgjuar kërkesat e qytetarëve, do të kesh edhe probleme të dhembjes shpinës, e të do të kesh nevojë për fizioterapi. Jam i gatshëm të trajtoj pa pare sa herë që ke nevojë”, ka thënë Haxhiu.
Kurti i është përgjigjur se mund ta marrë seriozisht Haxhiun “vetëm kur e sjell në Kuvend projektligjin për masazh”.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, ka thënë se Kuvendi e ka shqyrtuar këtë projektligj dhe ka propozuar mosmiratimin e tij.
“Propozimi nënkupton që të tërhiqen kursimet e pleqërisë ndërsa pensioni në pleqëri nuk është opsional por është obligim. Ky është propozimi i dytë brenda një periudhe të shkurtër. Tërheqja e kursimeve pensionale krijon një precedent i cili në vazhdimësi mund ta shkatërrojë Trustin. Propozimi për tërheqjen e trustit bazohet në logjikën e njëjtë si herën e kaluar por zgjatohet nën arsyetimin se qytetarët duhet të ndihmohen pas krizës ekonomike kinse qeveria nuk po bën asgjë”, ka thënë ai.
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari, ka thënë se u bënë disa muaj prej kur filloi të diskutohet me pasion e presion ideja e tërheqjes nga trusti.
Ajo ka thënë se kanë debatuar kudo në të gjitha këto diskutime kanë mbizotëruar emocionet dhe parashikimet individuale.
Sipas saj, një prej krahasimeve të vazhdueshme ka qenë tërheqja e më hershme më 2020.
“Për dallim nga ky vit herën e parë përveç se ishim të mbyllur kishim paqartësi edhe për të ardhmen tonë. Asnjë nga pasojat nuk e ka marrë vëmendjen e duhur në diskursin publik. Është e papranueshme papërgjegjësia e vendimmarrësve për pasojat që ky vendim i sjellë. Janë 695 mijë kontribut dhënës në rast të tërheqjes shuma do të ofrohej rreth 600 milionë. 337 mijë qytetarë mund të tërheqin vetëm nga 96 euro meqë kursimet e tyre nuk e mbërrijnë as një mijë euro. Në raport me shpërndarjen e mjeteve dhe drejtësinë sociale shifrat tregojnë qartë se kush përfiton meqë 9 për qind e kontribut dhënësve do t’i tërheqin vetë 44 për qind të mjeteve që do të tërhiqen”, ka thënë ajo.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se rrugëtimin e projektligjit për trustin tashmë secili qytetar e di sepse ka katër muaj që është diskutuar e proceduar, por përkundër vonesave megjithatë sot është në Kuvend.
“Arsyet se pse kemi ardhur te ky ligj nuk mund t’i kërkojmë te trusti por te gjendja e rëndë e vendit tonë. Kjo gjendje i ka shtyrë qytetarët të kërkojnë tërheqjen që ne e kemi marrë përsipër për ta sjellë para deputetëve. Këta që japin leksione se a duhet të kërkojnë qytetarët a jo duhet të japin me shumë përgjegjësi për gjendjen ekonomike”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se përveç rënies në ekonomi Kosova ka inflacionin më të madh ndonjëherë.
“Kemi rritje enorme të çmimeve në çdo produkt. Ata që kërkonin punë në Kosove sot kërkojnë viza sepse më as shpresë nuk kanë. Ne kemi një Qeveri që është deklaruar e majtë por po del që është e majme sepse e kemi parë deklarimin e pasurisë. E di që kur je deputet i shumicës nuk është e lehtë se vjen kryeministri e ministri thonë s’bën. Kryeministri iu ka futur në listë por deputetë ju kanë bërë qytetarët. Nëse doni votim të fshehtë po bëjmë mocion për votim të fshehtë por thirrini ndërgjegjes”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa u ka bërë ftesë deputetëve të LVV-së që të përkrahin këtë ligj që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja.
“Është e vetmja mundësi tani fatkeqësisht nga pasiviteti juaj i qeverisë suaj. Është mundësia juaj e fundit t’u dilni në krah qytetarëve”, ka thënë ai.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti të qetësohet.
“Kryeministri filloi prej analizës së problemeve globale, krizën energjetike, rritjen e çmimeve foli për pensionistët u kthy foli personalisht, pastaj për grupet parlamentare e për listën serbe e cila bashkë me qeverinë e votoi pagën minimale pa veteranët. Ai është kryeministër dhe duhet të ketë respekt në komunikim. Ju jeni mjeshtër i manipulimit me opinionin publik. Po flisni për rrënim të fondit, a u rrënua që u tërhoqën 10 për qind. Ju nuk keni marrë asnjë vendim qe e lehtëson jetën e qytetarëve. A mund të tregoni ku është ajo rritje e ekonomisë”,ka thënë ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se që nga muaji i ardhshëm do të fillojmë me zgjerimin e skemave për fëmijë.
Me 60 vota për dhe një abstenim ka kaluar Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Me 66 vota ka kaluar Projektligji për markat tregtare.
Me 64 vota për ka kaluar në lexim të dytë projektligji për mbrojtën e ajrit nga ndotja.
Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:30.