Arbëri

Trupi gjykues hyn përsëri në seancë, nuk flet publikisht për ankesën e mbrojtjes së Krasniqit

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Trupi gjykues në rastin më të madh të Speciales ka hyrë përsëri në seancë pas një pushimi të zgjatur, por nuk e ka adresuar në publik shqetësimin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për detyrimin për heqje të kravatës. Në mediat kosovare është përfolur se bëhet fjalë për kravatën e kuqe me shqiponja dykrenare si ato të flamurit shqiptar. Pas rinisjes së seancës trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith kaloi në seancë të mbyllur.

Në filllim të seancës së sotme avokatja Alagenda Venkateswari është ankuar se pse i është hequr krevata klientit të tij kur ai po të njëjtën e ka vendosur edhe në seancat e kaluara. Smith u përgjigj se s'e di se për çfarë është fjala, por se do të marrë informacion sa më parë.

Kravatën e kuqe me shqiponja të vogla, Jakup Krasniqi e ka pasur të vendosur edhe kur e ka prezantuar fjalën hyrëse më 5 prill 2023 kur ai u deklarua rreth akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Atë e ka vendosur edhe në seanca të tjera.

KOHA ka pyetur lidhur me këtë çështje në DHSK, por ende nuk ka pranuar përgjigje. Seanca është ndërprerë përsëri për të vazhduar të martën.