Shërbimi i zjarrfikësve në Prishtinë ka arritur që pas disa orësh punë të lokalizojë zjarrin, i cili të martën ka shpërthyer në një shumëkatëshe të pabanuar në rrugën “Ukshin Hoti” në lagjen “Pejton”. Në Ferizaj, flakët kanë kapluar një objekt kolektiv në të cilin ka gjetur strehë një familje gjashtanëtarëshe porse asnjë nga banorët nuk ka pësuar si pasojë e zjarrit. E zjarri që të hënën mbrëma e ka përfshirë katin e dytë të shtëpisë së të moshuarve në kryeqytet dyshohet se është shkaktuar pasi një nga banorët e ka lënë të ndezur një cigare
Me tri vatra zjarresh janë përballur ekipet e zjarrfikësve në Prishtinë dhe në Ferizaj brenda 24 orëve të fundit.
Shërbimi i zjarrfikësve në kryeqytet ka arritur që pas disa orësh punë të lokalizojë zjarrin, i cili të martën ka shpërthyer në një shumëkatëshe të pabanuar në rrugën “Ukshin Hoti” në lagjen “Pejton”.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka bërë të ditur se nuk ka lënduar nga zjarri që ka ndodhur rreth orën 09:45.
“Sot rreth orës 09:45, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën ‘Ukshin Hoti’ në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një objekt. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar”, është thënë në njoftimin e Policisë.
E në Ferizaj, flakët të martën kanë kapluar një objekt kolektiv në të cilin ka gjetur strehë një familje gjashtanëtarëshe porse asnjë nga banorët nuk ka pësuar lënduar si pasojë e zjarrit. Zjarri ka shpërthyer në katin e dytë të objektit në rrugën “12 Qershori”, porse shkaktarët e tij ende nuk dihen.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, ka thënë se janë duke u kryer hetime për ta përcaktuar shkaktarin.
E Zymri Krasniqi, komandant i zjarrfikësve në Ferizaj, ka theksuar se një zjarrfikës ka pësuar lëndime gjatë intervenimit për fikjen e flakëve në këtë objekt, në të cilin krahas banesës në katin e dytë kanë pësuar dëmtimet edhe katet më të larta.
“Qytetin e Ferizajt, për 5 minuta, ne si shërbime të zjarrfikësve, e përshkojmë në secilin cep të Ferizajt. E kam fjalën brenda qytetit, por nëse kalojmë në fshatra normalisht na duhet një kohë. Një zjarrfikës ka pësuar lëndime, por ne zjarrfikësit jemi mësuar me lëndime dhe me asfiksim nga tymi, por i kalojmë të gjitha këto procedura”, ka thënë Krasniqi.
Zjarr të hënën mbrëma ka pasur edhe në shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet. Si pasojë e flakëve që kanë lënë të djegur një pjesë të katit të dytë të qendrës, një i moshuar është ende duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), pasi ka pasur probleme me frymëmarrjen. Pas zjarrit, 56 banorët e tjerë të shtëpisë së të moshuarve janë zhvendosur në një hotel në Prishtinë.
Në që të tri rastet e zjarrit, të cilat kanë ndodhur brenda 24 orëve, ende nuk dihen zyrtarisht shkaktarët.
Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur se hetimet për rastin e zjarrit në shtëpinë e të moshuarve tanimë kanë nisur.
“Shkaqet ende nuk dihen, hetimi veçse ka filluar. Për shkak të sigurisë, siç e tha edhe kryetari, mbrëmë i kemi evakuuar të gjithë banorët në mënyrë që të krijohet siguria dhe mirëqenia e tyre, sepse ka pasur tym dhe ne jemi përkujdesur që të vendosen në një hotel dhe përkujdesja vazhdon deri tani. Derisa të riparohet e gjithë ndërtesa, banorët e shtëpisë së pleqve do të qëndrojnë në hotel”, ka thënë ai.
E drejtoresha e shtëpisë së të moshuarve, Raza Aliçkaj, ka thënë se ekziston një pistë e dyshimit për shkakun e zjarrit në këtë qendër.
“Ne e kemi marrë informacionin pasi që ka ndodhur rasti dhe me të marrë informacionin kemi ardhur. Ashtu siç na kanë treguar punëtorët, edhe sipas hetuesisë, po dyshohet se një i moshuar me cigare ka mundur ta shkaktojë atë zjarr”, ka theksuar ajo.
Aliçkaj ka thënë se gjendja shëndetësore e të moshuarve është e mirë teksa ka theksuar se dëmet materiale të shkaktuara në objekt do të riparohen. E Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka bërë të ditur se objekti fillimisht do të dezinfektohet dhe të lyhet dhe pas kësaj, banorët do të rikthehen.