Arbëri

Tri ministri s’e kryejnë obligimin ligjor ndaj nxënësve të shkollës së të verbërve

Gati dhjetë vjet kanë kaluar që nga miratimi i Ligjit për personat e verbër.

Por, nene të këtij ligji ende nuk po zbatohen nga Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Punës.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, thotë se këto tri ministri nuk janë duke e zbatuar nenin 10.3 të këtij ligji, që ndër të tjera i obligon ato t’u sigurojë mjete ndihmëse personave të verbër.

“Pavarësinë dhe autonominë e një personi të verbër, është e pamundur me imagjinuar pa mjete ndihmëse tiflo-teknike dhe tiflo-didaktike. Nëse duam t’i pavarësojmë personat e verbër, atyre duhet me iu siguruar mjete ndihmëse”, ka thënë ai.

Për obligimet në kuadër të këtij ligji, KOHA u është drejtuar të tria ministrive.

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve thanë se Departamenti i Pensioneve po e zbaton pjesën e vet për pagesën e pensionit mbi baza mujore.

Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje, në përgjigjen e saj Ministria e Arsimit ka pohuar se pajisjet tiflo-didaktike dhe tiflo-pedagogjike po avancohen vazhdimisht, dhe se kjo ministri është në identifikimin e atyre që do të sigurohen nga buxheti i Kosovës.

Nuk janë vetëm mjetet ndihmëse ato që shteti nuk ua ka siguruar personave të verbër.

As institucioni i vetëm në Kosovë për shkollimin e të verbërve, “Xheladin Deda” në Pejë, nuk është furnizuar me pajisjet e nevojshme teknike.

Tek dy vjetët e fundit kjo shkollë është kompletuar me pothuajse të gjitha këto pajisje në shkrimin Braill, derisa mbi 90 për qind e pajisjeve, siç thotë drejtori i kësaj shkolle, Xhavit Kastrati, janë dhuruar nga donatorë të huaj.

“S’do mend se duhet t’u jemi falënderues dhe mirënjohës, se sigurimin e këtyre pajisjeve ekskluzivisht ose shumicën më të madhe e kemi të mbështetur nga partnerët dhe donatorët të cilët sistematikisht po e mbështesin qendrën burimore dhe përmes qendrës burimore natyrshëm nxënësit tanë, qofshin në qendër burimore, qofshin në integrim”, ka shtuar tutje ai.

Pa pajisjet e dhuruara në shkrimin Braill, shumë prej tyre elektronike, nxënësit e kësaj shkolle thonë se do ta kishin pasur të vështirë mësimin.

“Por, ne i kemi makinat që na ndihmojnë shumë në braill”, ka thënë Dalmat Bytyqi, nxënës. “Të mos ishin makinat nuk kishim mujt. Është e pamundur”.

Donacionin e fundit kjo shkollë e ka marrë sivjet në muajin maj nga Ambasada e Çekisë, e cila i ka dhuruar kësaj shkolle 11 pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë në shkrimin Braill.