Tri marrëveshje brenda një viti e gjysmë i ka nënshkruar Komuna e Prishtinës me Ministrinë e Infrastrukturës për investime në projekte kapitale. E përkundër nënshkrimit të tyre, gjendja në terren nuk ka ndryshuar.
Marrëveshjen e parë kryetari Ahmeti e nënshkroi në mars të 2019-s me ish-ministrin e atëhershëm, Pal Lekaj.
Projekt kryesor i kësaj marrëveshjeje ishte fillimi i punimeve për ndërtimin e rrugës A, e që nuk pa realizim gjatë kohës sa Lekaj ishte ministër.
Derisa kryeqytetit nuk i ndahet tollovia në trafik, komuna sërish ka nënshkruar një marrëveshje tjetër me Ministrinë e Infrastrukturës për rrugën e njëjtë.
Derisa ky projekt synon të lirojë ngarkesën në komunikacion, qytetarët shprehin rezervat e tyre për realizimin e tij.
Por sipas drejtorit për investime kapitale, Gëzim Mehmeti, këtë herë ndërtimi i kësaj rruge nuk do të mbetet vetëm projekt. Mehmeti thotë se 45 për qind të këtij projekti do ta financojë MI-ja derisa pjesën tjetër Komuna, e në tërësi pritet të kushtojë afërsisht 12 milionë euro.
‘’Kjo është marrëveshje e cila në mënyrë të saktë ka precizuar çdo gjë. Do të thotë janë të shkruara e të formuluara të gjitha rrugët e projektet. Bazuar në këtë marrëveshje ne kemi marrë edhe hapa konkret. Rruga A është një rrugë e rëndësie të madhe, për shkak se aty do të bëhet edhe ndërtimi i kolektorëve që është diçka e jashtëzakonshme. Dhe ne kemi ndarë kodin buxhetor, është miratuar, dhe fillohet implementimi”, ka shpjeguar ai.
Marrëveshja e nënshkruar mes Ahmetit e ministrit Abrashi parasheh edhe zgjerimin e disa rrugëve në drejtim të Hajvalisë bashkë edhe me projekte të tjera.
E sipas këshilltarëve komunalë nga radhët e opozitës, kjo marrëveshje po shihet më shumë si mundësi për të përfituar në elektorat, pasi që thonë se këto projekte zor se do të realizohen.
Përveç marrëveshjeve me ministrin Abrashi e ish-ministrin Pal Lekaj, Komuna e Prishtinës pati nënshkruar edhe një memorandum për ‘’Hyrjen e Prishtinës’’ me ish-ministrin, Lumir Abdixhiku në maj të 2019-s.
Memorandumi përfshinte realizimin e projekteve infrastrukturore si gjelbërimin e ndriçimin e urës në hyrje të Prishtinës dhe në lagjen ‘’Veternik’’ si dhe ndërtimin e mbikalimit për këmbësorë në këtë lagje. Projekt ky që është bartur në marrëveshjen tashmë të nënshkruar mes nivelit qendror e atij lokal.