Arbëri

Tri institucione në Shtime prej më shumë se një viti menaxhohen me ushtrues detyre

Prej më shumë se një viti Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), Shtëpia e Komunitetit dhe Qendra për Punë Sociale (QPS) në Shtime udhëhiqen me ushtrues detyre, derisa ekzekutivi i komunës nuk po gjen kuadro të certifikuar për t’i emëruar drejtorët e rregullt.

Kjo çështje ka nxitur reagimin e opozitës me arsyetime se ekzekutivi është duke i pritur militantët e tij derisa t’i kryejnë specializimet për t’i emëruar drejtor në këto institucione.

Rreth kësaj çështje ka pasur debate të ashpra ndërmjet pushtetit e opozitës edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Asamblisti nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), Hamez Tershani, ka thënë se është shqetësuese se si Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare prej 16 muajsh vazhdon të menaxhohet me ushtrues detyre, ndërkohë që sipas tij, ekzekutivi po pret që individët e caktuar ta kryejnë specializimin për ta marrë këtë pozitë.

“Janë 3 institucione me ushtrues detyre prej më shumë se një vjet, andaj kjo është shumë shqetësuese për të gjithë qytetarët e komunës së Shtimes. Pra, keni ardhur në pushtet me pompozitet të madh si strukturë e lartë së bashku me kryetarin, ndërkaq prej më shumë se një vjet e gjysmë në qeverisje nuk keni arritur t’i plotësoni 3 pozita. Pushteti lokal në Shtime është i njohur që sjell kuadro prej komunave tjera, siç ka ndodhur me sektorin e prokurimit, atëherë pse nuk po sjellën edhe në Shëndetësi kuadro nga komunat tjera meqë ekzekutivi arsyetohet se nuk kanë kuadro profesionale”, ka thënë Tershani.

Sipas tij, qeverisja e Qemajl Aliut ka bërë fushatë para zgjedhjeve se do t’i kthente në Kosovë edhe mjekët që punojnë jashtë shtetit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Pra, komuna ka dështuar që t’i plotëson 3 pozita të drejtorëve në QKMF, QPS dhe në Shtëpinë e Komunitetit. Kjo qeverisje i ka dy doktorë të specializuar me një kryetar të komunës që kanë performancë të dobët”, ka thënë Tershani.

Në anën tjetër Isa Haxhiu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Shtimes në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka sqaruar se QKMF-në e kanë gjetur pa drejtor kur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka marrë pushtetin.

Sipas tij, drejtoresha e QKMF-së nuk kishte pranuar ta vazhdonte punën si drejtoreshë me qeverisjen e LVV-së.

“Pastaj e kemi gjetur një ushtrues detyre në QKMF, që sipas informatave ka pasur performacë të mirë, megjithëse ka pasur ankesa edhe për atë se gjatë fushatës zgjedhore të ish kryetarit të më pashëm ka qenë pjesëmarrëse e asaj fushate, por për mua s’ka pasur rëndësi një gjë e tillë. Sa i përket QKMF-së kam thënë se nuk ka asnjë kuadër që i plotëson kriter sipas ligjit për drejtor nga stafi i QKMF-së , andaj ne jemi të interesuar ta zgjedhim dikë brenda stafit të QKMF-së dhe jo të sjellim nga ndonjë vend tjetër. Disa mjek janë në specializime dhe nuk mund të bëjmë zgjidhje në këtë kohë , andaj duhet të presim edhe pak’, ka thënë Haxhiu.

Sipas tij, në Qendrën për Punë Sociale ka pasur vetëm ushtrues detyre kur LVV-ja ka ardhur në qeverisje, ndërkohë ai zyrtar ishte punësuar diku tjetër në Ferizaj dhe pastaj komuna e ka emëruar një zyrtar tjetër si ushtrues detyre. “Po ashtu QPS-ja ka pasur edhe mungesë të stafit, andaj ne e kemi shpallur konkursin një herë dhe ka dështuar, ndërkaq në konkursin tjetër janë pranuar dy persona. Ndërkaq në Shtëpinë e Komunitetit ish-udhëheqja e më pashme e ka lëshuar pozitën dhe ne është dashur të bëjmë një zgjidhje të shpejtë duke e zëvendësuar me një zyrtar tjetër si ushtrues detyre”, ka thënë Haxhiu.